A e kërkoi arrestimin e Metës?! Lu i shkon në zyrë Presidentit

Shpërndaje

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i akredituar në Tiranë, Donald Lu, këtë të enjte, është gjendur në Presidencë, në një takim të paparashikuar me axhendë, me kreun e shtetit Ilir Meta.

Vetëm një ditë më parë, u publikua në media një letër që ish-kryeprokurori Adriatik Llalla, i kishte dërguar  Kongresit Amerikan, ku mes kritikave të tij për procesin e reformës në drejtësi në Shqipëri, bëhej një deklaratë shumë e fortë. Ish-prokurori i Përgjithshëm, që la këtë post pas një mandati 7-vjeçar, thoshte se kryediplomati amerikan Lu, i kishte kërkuar atij, arrestimin e Ilir Metës. Vetë ambasadori reagoi dje me një qëndrim të ashpër, kur tha se këto janë shpifje dhe deklarata nga një person i përfshirë në korrupsion, siç u shpreh ai për Llallën, që i druhet burgut. Sot, Lu ka shkuar vetë në një takim me Metën, për të sqaruar gjithë këtë situatë/

Sipas letrës të dërguar nga Llalla thuhet se, në vlerësimin e Donald Lu, kreu i parlamentit Meta ishte i korruptuar dhe po pengonte Reformën në Drejtësi.

“Arrestimi i tij, shkruan Llalla, – do të ndihmonte, sipas pikëpamjes së ambasadorit përshpejtimin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian”.

Por, Llalla thekson se një kërkesë e tillë, tërësisht e papërgjegjshme, e kishte detyruar atë të ndërpriste takimin, teksa i kishte shpjeguar ambasadorit amerikan se arrestimi i një personi, përfshi një zyrtar të lartë, bëhet vetëm mbi bazën e provave. Kur ishte në detyrë Llalla nuk e nxori emrin e politikanit që Lu kërkoi te arrestohej, por deklaroi se i gjithë sulmi i ambasadës amerikane ndaj tij vinte si shkak i këtij refuzimi.

Menjëherë më pas erdhi dhe reagimi i ambasadorit të SHBA-së, Donald Lu i cili e konsideroi gënjeshtër

“Ish-Prokurori i Përgjithshëm Llalla është një zyrtar publik i korruptuar dhe diskredituar, i cili është nën hetim aktiv për pastrim parash dhe pasuri masive të pashpjeguara. Nuk është për t’u habitur që vazhdon të flasë kundër reformës në drejtësi sepse tani rrezikon të shkojë në burg për korrupsionin e tij. Ai ka pretenduar se brenda katër muajsh nga mbërritja ime në Tiranë, unë i paskam thënë të arrestojë ish-Kryetarin e Kuvendit Ilir Meta. Kjo është një gënjeshtër absurde nga Z. Llalla, pa kurrfarë baze në fakte. Gënjeshtra e tij fyese është një ofendim për Presidentin Meta dhe popullin shqiptar”, përfundoi reagimi i ambasadorit. /Express

Loading...