Bota

BE kërkon hetim të pavarur për të vrarët në Rripin e Gazës

Shpërndaje

Përfaqësuesja e diplomacisë europiane, Federica Mogherini kërkoi një hetim të pavarur mbi përdorimin e municioneve reale nga ushtria izraelite në Gaza gjatë përplasjeve që kanë shkaktuar 16 të vdekur dhe qindra të plagosur.

“Përdorimi i municioneve reale duhet të bëhet objekt i një hetimi të pavarur dhe transparent”, deklaroi ajo duke nënvizuar se BE shpreh keqardhje për të vdekurit dhe ju shpreh ngushëllime familjeve të personave të vrarë.

“Liria e fjalës dhe e drejta e shoqërimit janë të drejta themelore që duhen respektuar”, shtoi Mogherini në emër të 28 shteteve anëtare të BE-së.

Dhjetëra mijëra palestinezë, veçanërisht gra dhe fëmijë u mblodhën të premten përgjatë barrierës kufitare që ndan Rripin e Gazës nga Izraeli në kuadër të “marshit të madh të rikthimit”

Kjo lëvizje protestë do të zgjasë gjashtë javë, për të kërkuar të drejtën e rikthimit të refugjatëve palestinezë dhe për të dënuar bllokadën strikte të Gazës.  Një numër i vogël prej tyre i është afruar kësaj barriere shumë të siguruar dhe herë pas here skenë e përplasjeve të përgjakshme mes banorëve të enklavës dhe ushtarëve.

Këta të fundit janë kundërpërgjigjur duke qëlluar me plumba realë dhe duke përdorur gaz lotsjellës.Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Rripin e Gazës, 16 palestinezë janë vrarë dhe më shumë se 1 400 të tjerë janë plagosur, 758 prej të cilëve nga plumbat realë.Bëhet fjalë për ditën më të përgjakshme që prej luftës së vitit 2014 në Rripin e Gazës.

Loading...