Bujar Osmani kërkon Ligj për Shqipen, por nuk flet shqip! (Video)

Shpërndaje

Në takim me mediat ku u drejtua vetëm në gjuhën maqedonase, edhe përkundër kërkesës së gazetarëve që të përgjigjet në shqip, zv/kryeministri Bujar Osmani kërkoi nga presidenti Ivanov që të dekretojë Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve dhe të mos bëjë precedent me shkeljen e Kushtetutës. Osmani kërkoi edhe ndihmën e opinionit, mediave dhe sektorit civil që të ushtrojnë presion ndaj Ivanovit.

BUJAR OSMANI, ZV/KRYEMINISTËR
“Shteti po shikon qetësisht se si njeriu i parë përgjegjës për të mbrojtur Kushtetutën, e shkel Kushtetutën në mënyrën më flagrante dhe nuk e respekton vullnetin e shumicës së qytetarëve të Maqedonisë. Mendoj se duhet të reagojmë të gjithë sepse kjo krijon situatë të precedentit, kur përmes shkeljes së Kushtetutës krijohen veprime juridike në jetën e përditshme dhe në politikë”

Osmani shtoi gjithashtu se Ligji nuk dëmton askend, por vetëm u mundëson qytetarëve që të komunikojnë me shtetin në gjuhën e tyre, që sipas tij e rritë nivelin e mirëkuptimit dhe lojalitetit tek qytetarët shqiptarë.

Nga ana tjetër, gjatë këtij takimi kryeministri Zaev u pyet edhe për bisedimet me Lëvizjen Besa për zgjerimin e koalicionit qeveritar. Ai tha se bisedimet vazhdojnë dhe asnjë nga partnerët e koalicionit aktual nuk përbën problem për zgjerimin e shumicës parlamentare.

ZORAN ZAEV, KRYEMINISTËR
“Deri në fund të prillit kur dua të përfundojmë këtë proces. Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti i jep përkrahje këtij procesi, por e përkrahin edhe partnerët e tjerë të koalicionit, sepse jemi të vetëdijshëm se zgjerimi i shumicës parlamentare është pozitive, duke e ditur se do të duhet të heqim dorë nga disa përgjegjësi tonat dhe t’i ndajmë me partnerët e ri të koalicionit. Por, njëkohësisht jemi të vetëdijshëm se para Maqedonisë ka vendime shumë serioze, për çka është mirë që shumica parlamentare të jetë më e gjerë”

Zaev tha se bisedimet vazhdojnë në fillim të javës së ardhshme dhe gjatë fundjavës, ndërsa fundi i prillit është korniza kur duhet të arrihet marrëveshje për përfshirjen e Besës në Qeveri. /SHENJA/

Loading...