CSD: Kompanive ruse në Maqedoni u rriten katërfish të ardhurat (VIDEO)

Shpërndaje

Ndikimi i Rusisë në Maqedoni po rritet me shpejtësi duke forcuar qëndrimin e saj në përpjekjet për të parandaluar zgjerimin e Natos.

Qëllimi i Rusisë në Ballkan është të krijojë një grup vendesh neutrale ushtarakisht të përbërë nga Mali i Zi, Bosnjë-Hercegovina, Serbia dhe Maqedonia. Këmbëngulja e Rusisë në Maqedoni ishte e lidhur me faktin se në Prill 2017, Mali i Zi u bë anëtar i NATO, Bosnje-Hercegovina është vend kandidat për në BE. Madje edhe segmente të larta të politikës serbe kanë lidhje të thella me NATO.

Pas vitit 2008, kur në samitin e Bukureshtit Greqia vendosi VETO-n për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO me emrin kushtetues Republika e Maqedonisë, ajo është gjendur nën propagandën e vazhdueshme subversive të Rusisë kundër aspiratave të saj për tu anëtarësuar në NATO e BE. Qendër krysore e këtij aktiviteti ka qenë Ambasada e Federatës Ruse në Shkup.

Në një analizë që EKSKLUZIVISHT ka siguruar stafi i emisionit investigativ “INSIDE” e realizuar nga Qendra per Studime Demokratike, thuhet se të ardhurat e kompanive ruse që operojnë në Maqedoni u rritën për katërfish, duke përdorur të ashtëquajturën “fuqi e butë” strategjia e Rusisë në Ballkan.

Për gjithë këto fakte të lartëpërmendura në këtë emision për “INSIDE” kanë folur gazetari Borjan Jovanovski, Ish Ambasadori i Maqedonisë në Moskë, Risto Nikovski, analisti politik Eroll Rizaov dhe profesori universitar Veton Latifi.

Vitet e fundit Rusia i ka shtuar në mënyrë të ndjeshme shkëmbimet kulturore me Maqedoninë, duke i mëshuar identitetit pan-sllav dhe besimit të përbashkët orthodhoks. Ambasada e Rusisë në Shkup ka nxitur, mbështetur e krijuar mbi 30 shoqata kulturore ruso-maqedonase në gjithë Maqedoninë.

Sipas analizës e “Qendrës për Studime Demokratike”, thuhet se prania Ruse është rritur vazhdimisht gjatë dekadës së fundit, duke filluar nga një pikë e ulët fillestare.

Profesori universitar Veton Latifi vendimin e Qeverisë për të dëbuar diplomatin rus e sheh si vendim të pritshëm dhe të logjikshëm. Sipas tij ky vendim ishte në suaza të të gjitha vendeve që janë partnere strategjike me Britaninë e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Besoj se ky hap ishte i pritshëm dhe i logjikshëm dhe i arsyeshëm meqë në fakt ishte në suaza të gjesteve të tilla dhe vendimet e tilla në përgjithëse gati të të gjitha vendeve partnere strategjike Britanisë së Madhe dhe SHBA-së dhe natyrisht në periudhat kur prioritetet e Ballkanit janë integrimi në strukturat euro-atlantike dhe rritja e një shkalle më të lartë të sigurisë rajonale, çdo tentativë e aktore si në rastin konkret të diplomacisë ruse për të shkaktuar tensione dhe destabilizime për të shpërndarë panikë e frikë, natyrisht se do të dëmtonin rrugëtimin e vendeve të Ballkanit drejt strukturave euroatlantike”, ka deklaruar për “INSIDE”, profesori universitar, Veton Latifi.

Gazetari Borjan Jovanovski tërësisht e justifikon vendimin e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë. Sipas tij Maqedonia ka vendim strategjik të jetë pjesë e një familje të madhe euroatlantike.

“Mendoj se nuk është gabim ajo që qeveria e Republikës së Maqedonisë e solli këtë vendim, nga dy arsye. E para është nëse do të mundemi të besojmë, nuk di pse nuk do të kishim besuar, se ka prova që ai diplomat është munduar, që ka punuar në kornizat e KonventësVenecijane. I cili është një argument i mjaftueshëm për të justifikuar atë vendim, sepse e dini se nuk është mirë të lejohet pikërisht në atë mënyrë, sikur që diplomacia Ruse po përpiqet të kryej një ndikim në Maqedoni, atë ta bëj me metoda të cilat nuk ju ngjajnë, mendoj se janë metoda të cilat janë mjaft arkaike në atë kuptim diplomatik. Çështja e dytë është se Maqedonia ka vendim strategjik, të jetë pjesë e një familje të madhe Euroatlantike, e cila shpërndan vlera të caktuara, mes të cilave edhe solidaritetin. Kështu që unë në tërësi e justifikoj atë vendim të Qeverisë”, ka deklaruar për “INSIDE”, gazetari Borjan Jovanovski.

Nga ana tjetër ish Ambasadori i Maqedonisë në Moskë, Risto Nikovski thotë se vendimi i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë për të dëbuar diplomatin rus ka qenë një gabim fatal.

“Mendoj se ajo është një gabim serioz, e cila gjithsesi do të dëmtoj marrëdhëniet bilaterale, mendoj se ekonomia nuk do të vihet në pyetje, edhe të vihet në fund të fundit në pyetje, shkëmbimi është i vogël, afërsisht diku 200 e ca milion dollarë është shkëmbimi vjetorë, prej të cilave 100 milion janë tepricë ruse, do me thënë eksporti ynë është diku 50, 60 milion dollarë, ajo edhe për një Maqedoni nuk është shumë e madhe. Unë më tepër frikohem se ky gabim serioz, gabim i panevojshëm, eksponimi ynë në një gjendje jashtëzakonisht negative, mundet më shumë të dëmtoj në planin politik. Nuk duhet të harrojmë se Maqedonia është në një problem kyç, ajo është mos pranimit të emrit tonë kushtetues, nga ana jo vetëm e Greqisë por edhe të komunitetit ndërkombëtar”, ka deklaruar për “INSIDE”, ish Ambasadori i Maqedonisë në Moskë, Risto Nikovski.

Analisti politik, Eroll Rizaov ka deklaruar se Rusia tanimë e ka të qartë qëndrimin e Maqedonisë dhe e di shumë mirë edhe mendimin e opinionit publik në Maqedoni, dhe ky mendim është se ne duam integrimin në BE dhe NATO.

“Nuk do të kisha thënë se është i përjashtuar, ato janë ndonjëherë, më tepër do të thoja që janë procedura të zakonshme kur ka situata të tilla krize ose kërcënime. Nëse është ajo vetëm një shenjë solidariteti me Anglinë, në opinion mund të interpretohet si një proces i gabuar, megjithatë në këtë rast nuk është vetëm ajo, bëhet fjalë për disa elemente të tjera të cilat janë shumë të rëndësishme në këtë situatë. Dhe sikur e para është kërcënimi i Rusisë, e shprehur ambasadorit të Maqedonisë në Moskë, se Maqedonia nuk duhet të hyjë në NATO dhe duhet të largohet nga aspirata e sajë. Rusia e dinë qëndrimin e Maqedonisë dhe e njeh mendimin e opinionit në Maqedoni, se mbi 70% e qytetarëve nga dita e parë e pavarësisë janë për integrimet euro-atlantike, përkatësisht për anëtarësimin në aleancën e NATO-s dhe anëtarësim në BE”, ka deklaruar për “INSIDE”, analisti politik, Eroll Rizaov.

Stagnimi ekonomik i Maqedonisë , rritja e varfërisë, rritja enorme e borxhit publik të shtetit, korrupsioni, marrëdhëniet e brishta ndëretnike, moskryerja e detyrave të përcaktuara nga BE dhe NATO, krejt këto gjëra flasin për sfidat që BE dhe NATO do t`i kenë me Maqedoninë përballë ndikimit të shtuar ekonomik dhe politik rus.

Rusia dhe Perëndimi kanë synime krejt të ndryshme lidhur me Ballkanin, por Maqedonia është rreshtuar pas perëndimit dhe vlerave të tyre, për këtë shkak edhe shumë diplomatë perëndimor gjatë 3 muajve të fundit kanë vizituar Shkupin për ti dhënë edhe më shumë mbështetje që sa më parë Maqedonia ti kryen rekomandimet e BE-së, dhe të fillon bisedimet për antarësim në familjen e madhe europiane.

Loading...