Duma, inspektorët e armëve kimike ende nuk kanë qasje

Shpërndaje

Inspektorët e armëve kimike ende nuk kanë siguruar qasje në vendin ku dyshohet se ka ndodhur sulmi me armë kimike në qytetin Duma në Siri, ka thënë delegacioni britanik në Organizatën për Ndalimin e Armëve Kimike (OPWC).

Sulmi i dyshuar në Duma, jashtë Damaskut, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, ka lënë të vdekur 43 persona, të cilët “i janë ekspozuar substancave toksike me përqendrim të lartë” më 7 prill.

Inspektorët e OPWC-së kanë arritur gjatë vikendit në Siri për të zbuluar nëse janë përdorur armët kimike në Duma. Gjatë një takimi urgjent me dyer të mbyllura, delegacioni britanik ka thënë përmes një deklarate në Twitter se Rusia dhe Siria ende nuk u kanë lejuar qasje në Duma. Rusia, mbështetësja kryesore e presidentit sirian, Bashar al-Assad, ka thënë se vizita e inspektorëve është vonuar si rezultat i sulmeve perëndimore.

Rusia mund të ketë manipuluar me vendin ku ka ndodhur sulmi i dyshuar kimik në Duma të Sirisë, ka thënë i dërguar i ShBA-së në Organizatën për Ndalimin e Armëve Kimike, duke i bërë thirrje këtij organi që të dënojë përdorimin e vazhdueshëm të këtyre armëve.

Shtetet e Bashkuara, Britania dhe Franca kanë nisur sulme ajrore në bazat e Qeverisë siriane më 14 prill, si përgjigje ndaj sulmit të një jave më parë.

Loading...