Rajoni

Ekskluzive: Haradinaj fton Gulenin në Kosovë – Universiteti i Prishtinës e shpall Doktor Nderi

Shpërndaje

Kryeministri Ramush Haradinaj i ka dërguar sot ftesë klerikut Fetullah Gulen, i cili ndodhet në SHBA, që ta vizitojë Kosovën. Gulenit, kundërshtarit të ashpër të Erdoganit, gjatë vizitës UP’ja do t’i akordoje titullin doktor nderi.

Siç merr vesh Gazeta Express, vizita e Gulen në Kosovë pritet të ndodhë pas dy javësh, ndërkohë që po punohet në agjendën e saj. Haradinaj këtë ftesë dijetarit turk ia ka bërë si përgjigje ndaj arrestimeve të 6 gylenistëve në Kosovë. Gazeta Express merr vesh se këtë vizitë Haradinaj e ka menduar edhe si përgjigje ndaj kërcënimit të Erdoganit se “karriera e Haradinajt do  të marrë fund” pasi shkarkoi ministrin e brendshëm, Flamur Sefaj dhe shefin e AKI’së, Driton Gashi dhe si përgjigje ndaj Hashim Thaçit i cili ka bashkëpunuar me regjimin  e Erdoganit në këtë aferë.

Mësohet se Haradinaj dhe Gulen do të qëndrojnë edhe ne kolegjin Mehmet Akif, edhe një gjest ky nga Kryeministri se shkollat dhe institucionet  e Gulenit janë të mirëpritura në Kosovë.

Ndërkohë, siç merr vesh Express, Gulen, tashmë nëpërmjet kanaleve jozyrtare të komunikimit, i ka kërkuar shefit të Qeverisë së Kosovës që të revokojë licencën e shkollave të Erdoganit në Kosove të cilat Presidenti i Turqisë i kishte ofruar si alternativë ndaj institucioneve të Gulen. Mësohet  se Haradinaj po e shqyrton që shkollave të Erdoganit “Marif School International” të mos  u vazhdohet licenca.

Ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, i cili po e mbështet Haradinajn në këtë veprim, tashmë ia ka paraqitur qëndrimin e tij që këto shkolla duhet të mbyllen, sidomos pas vendimit të Ministrisë së Turqisë për të hequr nga plan-programet teorinë e evolucionit.

Ndryshe, gjatë vizitës së Fetullah Gulenit në Kosovë, Universiteti i Prishtinës pritet të akordojë titullin doktor nderi për klerikun, për shkak të kontributit të tij në shkollimin e shumë gjeneratave.

Gulen pritet të takojë edhe një grup nxënësish të rrjetit te shkollave të tij të cilët  tashmë kanë mbaruar shkollimin në këto institucione.

Ne mesin e tyre pritet të jetë edhe djali i Presidentit Hashim Thaçi, Endriti.

 I kontaktuar nga Gazeta Express, Endriti e ka konfirmuar pjesëmarrjen, pasi që gjatë vizitës së dijetarit, babai i tij, Presidenti Hashim Thaci pritet të jetë në një takim joformal në Stamboll për ta siguruar diktatorin turk Erdogan se nuk ka të bëjë asgjë me këtë vizitë.

Ndërkohë Thaçi ende është duke tentuar që të ndalojë këtë vizitë. Express mëson se ai këtë po tenton ta bëjë nëpërmjet strukturave të ndryshme të pushtetit dhe AKI’së duke i çuar selam Haradinajt se aeroplani special nga Pensilvania që do të sjellë dijetarin turk nuk do të lejohet të aterrojë në Prishtinë.

Express mëson se Gulen pritet të vizitojë edhe Bashkësinë Islame të Kosovës por nuk ka pranuar ta takojë Myftiun Tërrnava për shkak të deklaratave të papërmbajtura të tij në Turqi se “shqiptarët e Turqisë janë me fat që kanë një lider si Erdogani” dhe se “ai është i dërguar i Zotit”.

Por, tashmë është e sigurt që Gulen do të shkelë në tokën e Kosovës, pasi Haradinaj ka marrë mbështetje edhe nga partnerët e koalicionit Fatmir Limaj e Kadri Veseli.
Urime 1 prilli.

Loading...