Kamioni hyn mes turmës në Gjermani, 3 të vdekur dhe 20 të plagosur (Foto)
Tre të vdekur dhe njëzetë të plagosur është bilanci tragjik i atij që është konsideruar një sulm terrorist në qytetin Muenster të Gjermanisë.
Rreth orës 17:30 të pasdites një kamion është futur në mes të turmës në qendër të Muenster.
Bild raportoi se një operacion i madh policor u zhvillua në një pjesë të qytetit të vjetër, i cili u blindua nga forcat policore dhe një prezencë e lartë e zjarrfikëseve dhe ambulancave.
Sipas informacioneve të SPIEGEL, autori i krimit qëlloi veten dhe këtë e konfirmon policia. Zëdhënësi i policisë, Andreas Bode tha për reporterët se drejtuesi i mjetit vrau veten pas përplasjes mbi turmën.
Ai shtoi se drejtuesi nuk është identifikuar ende, por është ende herët të spekulohet mbi motivet që e çuan drejt këtij akti. Bode deklaroi gjithashtu se 6 prej 20 të plagosurve ishin në gjendje të rëndë.
Hetuesit sipas mediave po kërkojnë për eksploziv të mundshëm në vendngjarje. Policia i ka bërë thirrje popullsisë për të shmangur zonën e prekur, ndërsa qendra e operacionit është restoranti Kiepenkerl, nga ku edhe vijnë raportime për numrin më të lartë të viktimave.
Kiepenkerl është një vend tradicional dhe shumë i frekuentuar nga vendasit e turistët dhe ndodhet në mes të qytetit historik të vjetër të Münster.
Policia reagoi fillimisht përmes “Twitter”-it, duke kërkuar nga banorët “të shmangnin zonën përreth lokalit Kiepenkerl”, në zonën më historike të qytetit, aty ku u zhvillua edhe operacioni policor i shkallës së gjerë.
Sipas policisë, një objekt i dyshimtë u gjet brenda furgonit, të cilin po e ekzaminojnë për të parë nëse përbën rrezikshëmri apo jo. Në një deklaratë të dhënë për agjencinë gjermane të lajmeve “DPA”, policia tha se objekti ishte shkak për vendosjen e një perimetri të gjerë në vendngjarje, menjëherë pas përplasjes.
Kryebashkiaku i Münsterit, Markus Lewe tha se shkaku i përplasjes është ende i paqartë. Televizioni gjerman “N-TV” transmetoi pamet e rrugës së ngushtë të rrethuar nga shiritat bardhekuq të policisë, ndërsa në vendngjarje u panë dhjetëra ambulanca dhe helikopterë që iu erdhën në ndihmë të plagosurve për transport në spitalin më të afërt.