Konkluzionet nga Kuvendi i ASH-së
Aleanca për shqiptarët ditën e diel mbajti Kuvendin e parë qendror në Kërçovë, pas Kongresit partiak që u mbajt në 10 Mars 2018.
Në Kuvend u zgjodhën një pjesë e strukturave drejtuese të partisë, përkatësisht Sekretari i përgjithshëm, Kryesia qendrore, kryetari i Akademisë politike dhe Komisioni statutaro-juridik.
Për sekretar të përgjithshëm u zgjodh z. Arben Taravari i cili u rikonfirmua në këtë pozicion edhe për një mandat ndërsa kryetar i Akademisë politike të Aleancës për shqiptarët u zgjodh z. Halil Snopçe, profesor universitar.
Në Kuvendin e parë të Aleancës, u zgjodh edhe Komisioni statutaro-juridik prej pesë anëtarësh në krye të të cilit do të qëndrojë profesori universitar z.Etem Aziri.
Në periudhën në vijim ASH do të vazhdojë strukturimin e kryesisë qendrore për disa degë të caktuara të cilat ngelën vakante dhe njëkohësisht do të plotësojë organet tjera partiake.
Kuvendi i Aleancës për shqiptarët pas diskutimeve në lidhje me situatën aktuale politike në Maqedoni, solli edhe dy konkluzione:
1. Aleanca për shqiptarët do të vazhdojë të mbështesë përpjekjet e faktorit ndërkombëtar dhe qeverisë së Maqedonisë për zgjidhjen e çështjes së emrit, duke mbajtur qëndrim inkurajues, por duke rikujtuar të gjitha palët e involvuara në proces se emërtimi i ri duhet të jetë i përkthyeshëm ndërkombëtarisht dhe assesi nuk duhet të asocojë njëanshëm në gjuhën dhe alfabetin vetëm të një etniteti të caktuar në vend. Në këtë formë zgjidhja e këtij problemi shumëvjeçar do të pasqyrojë realitetin multietnik të vendit dhe do të luajë rol të rëndësishëm në ndërtimin e paqes, stabilitetit dhe tolerancës afatgjate në vend.
2. Aleanca për shqiptarët njofton opinionin publik se në asnjë formë nuk do të jetë pjesë e ndonjë përbërjeje të re qeveritare, të cilës nuk do ti paraprijë proces zgjedhor parlamentar. Ky vendim unanim i ASH-së bazohet në indikacionet se kjo garniturë qeverisëse nuk është mjaftueshëm bindëse në angazhimin e saj për reforma rrënjësore në vend dhe sidomos në indiferencën e saj rreth sjelljes dhe zbatimit të parimeve dhe funksionalizimit të shtetit ligjor.