Kthimi i VMRO-së në parlament nuk do të sjell asgjë, Mickoski përgatitet për zgjedhje

Shpërndaje

Partia më e madhe opozitare maqedonase VMRO-DPMNE e cila për një kohë bojkotonte punën e Parlamentit, ka paralajmruar kthimin e saj në punimet e Parlamentit por jo për ti mbështetur reformat por për që të kërkojë votim të mosbesimit të Qeverisë të udhëhequr nga kryeministri Zaev, shkruan Zhurnal.

Analistët vlerësojnë se kthimi i VMRO-DPMNE-së në Parlament nuk ka të bëjë me mbështetjen e reformave urgjente prioritare në procesin e integrimeve evropiane.

“Kthimi i VMRO-së në Kuvendin e Maqedonisë nuk ka të bëjë me mbështetjen e reformave urgjente prioritare në procesin e integrimeve evropiane. Kjo për faktin se lideri i saj Hristijan Mickovski, vazhdon mendësinë dhe politikat destruktive të ish-kryeministrit Nikolla Gruevski, të cilat e dërgojnë në regres vendin. Kjo parti ka shprehur qëndrim negativ për ligjin e cunguar të gjuhëve, i cili avanson sado pak përdorimin e gjuhës shqipe si dhe vazhdon të kundërshtoj negociatat për zgjidhjen e kontestit të emrit, që i mundësojnë Maqedonisë një perspektivë euro-atlantike”, thotë për Zhurnal, Muhamer Pajaziti, jurist i së drejtës evropiane.

Sipas tij, politika e VMRO-së, vazhdon të jetën kundër frymës dhe parimeve të Bashkimit Evropian, të cilat kërkojnë respektimin e diversiteteve dhe parimit të fqinjësisë së mirë.

“Inteperlanca kundër kryeministrit Zoran Zaev, është një instrument opozitar për të ushtruar konroll dhe për të kërkuar përgjegjësi nga Qeveria. Por mendoj se ky nuk është qëllimi i VMRO-së. Kjo parti synon të rrisë reagimin dhe kundërshtimet, me gjasë se pas dështimit të agjendës evropiane, vendi do të përballet me zgjedhje të parakohshme parlamentare. Interpelanca, është një fillim i fushatës së VMRO-së, e cila shpreson në dështimin e negociatave për cështjen e emrit si dhe në dështimin e përmbushjes së reformave të kërkuara nga Komisioni Evropian”, nënvizon Pajaziti.

Ky do të jetë, shton ai, edhe qëllimi i lideri të ri të kësaj partie, i cili duket se ka filluar përgatitjet për zgjedhje të reja parlamentare.

Nga ana tjetër, analisti Berat Azizi thekson se kthimi i partisë opozitare VMRO-DPMNE në parlament nuk do të sjell asgjë në skenën politike të vendit pasi kthimi i tyre pas vete ka edhe disa parakushte të cilat nuk janë bërë publike për opinionin.

“Kthimi i partisë opozitare VMRO-DPMNE në parlament nuk do të sjell asgjë në skenën politike të vendit pasi kthimi i tyre pas vete ka edhe disa parakushte të cilat nuk janë bërë publike për opinionin. Lideri i VMRO Mickovski në një deklaratë të publikuar më herët ka bërë të ditur se VMRO kthehet në kuvend, por duke kërkuar edhe disa kushte të cilat siç mund të kuptohet nuk janë në interes të përgjithshëm, por janë vetëm në interes ë partisë opozitare maqedonase. Them se nuk sjell asgjë kthimi i tyre në parlament pasi tashmë jemi mësuar se kthimi i tyre në Kuvend është bërë vetëm për të penguar çështjet që kanë të bëjnë me shqiptarët siç është ligji për Gjuhën shqipe”, thekson për Zhurnal, Berat Azizi, analist.

Ai potencon se kjo parti nuk ka shprehur gatishmëri për tu kthyer në kuvend, për të çuar përpara reformat që kërkohen për tu integruar në BE dhe NATO.

“Në anën tjetër Interpelanca ndaj kryeministrit të vendit nga ana e VMRO bëhet me të vetmin qëllim për të përfituar politikisht dhe për të detyruar pushtetin që të bëjë ndonjë kompromis rreth mbylljes së disa procese gjyqësore që po zhvillohen ndaj figurave të larta të VMRO-DPMNE”, vlerëson Azizi.

Sa i përketë interpelancës ai thotë se ajo kërkohet në kohën kur Maqedonia është afër zgjidhjes së kontestit për çështjen e emrit me Greqinë

“Interpelanca kërkohet në kohën kur Maqedonia është afër zgjidhjes së kontestit për çështjen e emrit me Greqinë, dhe në kohën kur Ligji i gjuhës shqipe pritet të shpallet në Gazetën Zyrtare. Mendoj se qëllimi i VMRO është pengimi i këtyre dy çështjeve mjaft të rëndësishme për vendin dhe këtë dëshiron ta realizojë përmes Interpelancës”, potencon Berat Azizi, analist.

Loading...