Kukësi “blindohet” nga RENEA, banorët: Policia e dhunshme, arrestime politike

Shpërndaje

Qyteti i Kukësit është zgjuar të dielën i “pushtuar” nga forca të shumta RENEA, një ditë pas protestës kundër taksës së “Rrugës së Kombit”, protestë që degjeneroi në dhunë.

Sipas banorëve, policia ka ardhur në shtëpitë e tyre natën për të arrestuar pjesëmarrësit në këtë protestë. Familjarët e personave të shoqëruar në komisariat thonë se efektivët e policisë kanë ushtruar dhunë nëpër banesa në orët e para të mëngjesit.

Ndërkohë banorët e mbledhur përpara godinës së Drejtorisë së Policisë në Kukës janë shprehur se policia po bën arrestime politike, ndërsa tubimi i tyre nuk kishte sfond të tillë, por u krye vetëm sepse nuk përballojnë dot taksën e rrugës.

Një banor tha për mediat se policia i ka terrorizuar familjen gjatë natës, duke hyrë me dhunë për të arrestuar vëllain e tij.

“Më kanë arrestuar vëllain që dje ka qenë në protestë. Nuk ka shkuar për çështje politike. Është dëmtuar nga sytë. Mbrëmë ka qenë i sëmurë. E ka arrestuar policia në orën 4 të mëngjesit. Ka qenë i sëmurë nga gazi lotsjellës. Kanë kaluar mbi avlli dhe i kanë shkuar vëllait brenda. E kanë rrahur këta persona”, u shpreh banori.

Familjarët e të arrestuarve kanë bërë thirrje që ata të lirohen “një orë e më para, pasi në qoftë se nuk lirohen Edi Rama dhe Fatmir Xhafaj do shohin kush janë ata kriminelë”.

“U bëj thirrje të gjithë kukasianëve që të vijnë këtu dhe nëse nuk dalin një për një do të djegim komisariatin”, u shpreh i afërmi i një prej të arrestuarve.

Ndërkohë një tjetër banor i Kukësit konstaton se vëllai i tij është arrestuar pa qenë në protestë fare, pasi sipas tij të dy kanë qenë në punë gjatë ditës së djeshme.

“Kanë arrestuar vëllain pa qenë në protestë fare. Punojmë të dy në një kompani private. Arrestimi është bërë në orën 3 të mëngjesit. Nuk kanë përdorur asnjë rregull. Ishte arrestim i habitshëm. E kanë marrë me forcë vëllain në 4 të mëngjesit. Mënyra se si e kanë marrë është e habitshme. Kanë ardhur me maska duke i rënë derës me qyta pistolete. Vijmë këtu tek policia dhe thonë se nuk dinë gjë. Më ka humbur vëllai”, u shpreh ai.

Edhe një i moshuar që u prononcua për mediat vendosi theksin tek arrestimet e dhunshme të policisë. “Më kanë arrestuar dhëndrin në orën 4 të mëngjesit. Kanë ardhur 20 policë se ka qenë në protestë. Policët ishin me maska. Dhëndri ka një fëmijë të sëmurë me goditje cerebrale”, deklaroi ai.

Të shtunën, protestuesit dogjën dhe shkatërruan sportelet e vjeljes së taksës së rrugës, të vendosura nga koncesionari, ndërsa paralajmëruan se do të rikthehen të bëjnë të njëjtën gjë nëse ato do të rivendosen sërish në funksion.

Loading...