Lëvizja BESA: Kërkojmë shkarkimin e drejtorit të Agjencisë për të Rinj dhe Sport
Lëvizja BESA dhe kryetari i saj, Afrim Gashi, konsideron se skandali i botimit të përmbledhjes me poezi nga Agjencia për të Rinj dhe Sport, në të cilën përdoret gjuhë diskriminuese dhe ofenduese kundrejt shqiptarëve, nuk duhet të kalojë i pandëshkuar. Ndryshe, i bie që edhe qeveria e mbështet botimin e tillë. Në kohën që autori i poezisë heq dorë nga autorësia, në kohën që drejtori i Agjencisë për të Rinj dhe Sport i rrudh krahët dhe luan rolin se nuk di se për çfarë është fjalë, ky është shans që, së paku, Kryeministri të dëshmojë se e ka brengën e shoqërisë multientike. Në të kundërtën, i bie që të gjithë këta e mbështesin botimin e atyre të a.q. poezi.
Për këtë arsye, Lëvizja kërkon që sot Kryeministri i vendit ta shkarkojë nga funksioni drejtorin e Agjencisë për të Rinj dhe Sport dhe të dëshmojë se motoja e tij “një shoqëri” nuk ka qenë vetëm një blof për përfitime politike.
StictyBanner mes postimeve mobil
Shkarkimi i tij sot do të ishte mësim edhe për të gjithë të tjerët nesër që mund të shfaqin prirje të tilla diskriminuese dhe ofenduese. Derisa drejtori i kësaj agjencie nuk jep dorëheqje, fundja për arsye morale, atëherë ai duhet të shkarkohet për arsye politike.