Më 17 prill publikohet raporti i progresit nga Komisioni Evropian
Raporti i Progresit që do të publikohet nga Komisioni Evropian më 17 prill, bashkë me vlerësimet për progresin e arritur vjetor do të paraqesë edhe progresin që vendi e ka arritur prej nënshkrimit të Deklaratës për Stabilizim Asociim. Me këtë të fundit Komisioni Evropian do të bëjë krahasimin e progresit të arritur në Maqedoni me progresin e arritur në shtetet tjera të rajonit. Gjithsesi vlerësimi i ashtuquajtur “vjetor” pos që do të përfshijë periudhën pas formimit të Qeverisë aktuale, do të përfshijë edhe periudhën që i parapriu zgjedhjes së qeverisë, përfshi edhe incidentet e 27 prillit.
Sigurisht 27 prilli do të reflektohet, sigurisht se votimi i Kryetarit të Parlamentit, obstruksionet që u krijuan atje do të vlerësohen. Eventualisht situatat që mund të vlerësohen pas formimit të Qeverisë mund të jetë çështja e shkarkimeve të disa funksionarëve apo bordeve drejtuese në Qeveri. Edhe pse i kemi dhënë në Bruksel të gjitha argumentimet. Komisioni Evropian është shumë i ndjeshëm sa i takon shkarkimeve dhe emërimeve që gjithçka të jetë në vijë me procedurën, me ligjet, pa ndikime partiake në këtë drejtim – deklaroi Zv/kryeministër për Çështje Evropiane Bujar Osmani.
Megjithatë Osmani vlerëson se raporti do të përmbaj edhe vërejtje për mos-harmonizimin e plotë të legjislacionit të vendit me atë të BE-së, për shkak të mungesës së opozitës në Kuvend. Gjithsesi ai pret që Komisioni Evropian të vlerësojë pozitivisht programin qeveritar të reformave të njohur si “Plani 3-6-9” dhe veçanërisht të theksohet vullneti i shumicës parlamentare për të reformuar gjyqësorin dhe për të ndaluar ndërhyrjen e ekzekutivit në gjyqësor..
Ndërkohë Alsat mëson se ashtu si në raportet e mëparshme edhe kësaj radhe fokusi do të jetë në reformat në gjyqësor dhe media. Përkundër rekomandimeve të njëpasnjëshme nga Komisioni Evropian që Maqedonia të përmirësonte lirinë e mediave edhe këtë vit ndodhën raste të pakëndshme të shkeljes së dinjitetit të gazetarëve, pengimit të punës së tyre dhe censurimit. Prej ngjarjeve që ndodhën gjatë vitit e të cilat do të reflektohen në këtë dokument të Komisionit Evropian, pritet të jenë edhe: kërcënimi i Kryetarit të Shoqatës së Gazetarëve në Maqedoni, Naser Selmani nga familja e funksionarit të lartë të BDI-së, Beqir Asani; kërcënimi i gazetarit të Alsat M, Adrian Kerimi nga ana e Prokurorit të lartë, Bari Shabani si dhe censurimi i emisionit KOD të gazetares Snezhana Lupevska Sozen nga Televizioni Telma.
Përndryshe më 17 prill Komisioni Evropian pritet të publikojë raportet e veçanta të progresit për shtetet kandidate. Ndërsa më 18 dhe 19 prill pritet që Shkupin ta vizitojnë Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federika Mogerini dhe Euro-komesari për Zgjerim, Johanes Han.