Mogherini: Shqipëria është e gatshme për të hapur negociatat (Video)
Një ditë pasi Komisioni Evropian (KE) vendosi të rekomandojë hapjen e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian (BE) për Shqipërinë, përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Punë të Jashtme dhe Politikat e Sigurisë, Federica Mogherini, zhvilloi një vizitë zyrtare në Tiranë, ku u takua me drejtues të lartë të vendit, ndërsa ajo theksoi se Shqipëria është e gatshme për të hapur negociatat me BE-në, raporton Anadolu Agency (AA).
Në përfundim të takimit me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, u mbajt një konferencë e përbashkët për mediat, ku Rama theksoi se arritja e rezultatit të rekomandimit të KE-së për çeljen e negociatave për anëtarësim të Shqipërisë është e lidhur edhe me “punën e palodhur të Federica Mogerinit për të forcuar urën lidhëse mes BE dhe Ballkanit Perëndimor.”
– “Shqipëria ka përmbushur kushtet që i ishin vendosur në rekomandimin e fundit”
Mogherini në fjalën e saj theksoi se ky ishte rezultati i një pune të përbashkët dhe kolektive dhe se Shqipëria ka plotësuar kushtet që i janë vendosur.
“Jam krenare që sot jam në gjendje të sjell në Tiranë vendimin që Komisioni Evropian mori dje për të dhënë rekomandimin pozitiv për herë të parë në historinë e Shqipërisë në mënyrë që Këshilli Evropian të nisë negociatat për integrim në BE. Ky ishte rezultat i një pune kolektive. Duke qenë se ky ishte një rezultat i përbashkët mendoj se do të jetë një ditë e një njohjeje kolektive. Kjo është një përgjegjësi e përgjithshme për të kryer punën e mëtejshme”, tha Mogherini.
Sipas Mogherinit vlerësimi i komisionit thotë qartësisht se Shqipëria ka përmbushur kushtet që i ishin vendosur në rekomandimin e fundit dhe Shqipëria është e gatshme për të çelur negociatat.
Duke folur për rolin e Shqipërisë në rajon, Mogherini tha se Shqipëria ka luajtur dhe do të vazhdojë të luajë një rol mjaft pozitiv duke u përqendruar në bashkëpunimin dhe fqinjësinë e mirë.
“Në Ballkanin Perëndimor politika e zgjerimit të BE-së kthehet në ADN-në e projektit integrues evropian që është pajtimi dhe paqja. Ndaj marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimi në rajon janë një element thelbësor i arsyes se pse ne jemi bashkuar në union dhe veçanërisht në këtë rajon besoj se është me rëndësi. Po dëshmoni vendosmëri dhe vullnet të mirë për të përmirësuar marrëdhëniet me partnerët e tjerë në rajon. Shqipëria është një vend që është 100 për qind në të njëjtën linjë me ne kur bëhet fjalë për politikën e jashtme dhe të sigurisë në BE”, tha Mogherini.
Në vijim të fjalës së saj, shefja e diplomacisë evropiane tha se BE e ka shoqëruar Shqipërinë gjatë këtyre viteve ndryshimi të thellë dhe do të vijojmë të “ecim në këtë rrugëtim së bashku me të njëjtin vendosmëri dhe optimizëm.
– Rama: Shqipëria ka marrë atë që ka merituar në këtë fazë të zhvillimit dhe modernizimit
Kryeministri Rama tha se Rajoni dhe Shqipëria kanë bërë hapa shumë të rëndësishëm përpara. “Ne të gjithë kemi nevojë për miq të mirë dhe të vërtetë në Evropë, për njerëz dhe faktorë të hapur ndaj nesh, të cilët të njohin historinë tonë, të kuptojnë vështirësitë dhe rëndësinë tonë për projektin e pa përfunduar të Evropës së bashkuar. Të na mbështesin dhe të argumentojnë fort për ne, aty ku ne mungojmë, përgjatë kësaj kohe jo të favorshme për erën e zgjerimit brenda mureve të BE-së”, tha Rama.
Më tej gjatë fjalës së tij Rama theksoi se Shqipëria ka marrë atë që ka merituar në këtë fazë të zhvillimit dhe modernizimit të saj. “Sforcot tona për të kaluar reformën në drejtësi dhe zbatimin e vetingut, për të çrrënjosur kanabisin nga territori dhe shtrënguar rrethimin e shtetit për krimin e organizuar, duke arritur një shifër rekord sekuestrimesh të aseteve financiare kriminale, për të luftuar korrupsionin dhe reformuar administratën publike, për të krijuar një kornizë shembullore bashkëjetese për minoritetet dhe zgjeruar hapësirat e lirisë së shprehjes, janë vlerësuar objektivisht dhe me dhënien e rekomandimit i ka dhënë Shqipërisë një status të ri. Me dhënien e rekomandimit i kanë dhënë Shqipërisë një status të ri shoqëror mes vendeve të familjes evropiane”, tha kryeministri i Shqipërisë.
Sipas Ramës, duhet nisur menjëherë nga puna e gjatë, sipas tij, për të ecur sa më shpejt drejt marrjes së diplomës së anëtarësimit. Përsa i përket aspektit politik, Rama tha: “Jo të gjithë e shohin me entuziazëm këtë arritje të Shqipërisë. Dihet botërisht që në disa vende anëtare ka individë, ka forca që as nuk e duan zgjerimin dhe as e dëshirojnë përparimin e rajonit në rrugën drejt anëtarësimit”.
Gjatë qëndrimit në Tiranë përfaqësuesja e Lartë i Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikat e Sigurisë, Mogherini, u takua dhe me presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta dhe me përfaqësues të opozitës.
Mogherini sot do të realizojë një vizitë edhe në Maqedoni.
Kujtojmë që një ditë më parë Komisioni Evropian (KE) vendosi të rekomandojë hapjen e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian (BE) për Shqipërinë dhe Maqedoninë.