Palestinezi që pranoi dhuratë nga Erdoğan gjymtohet nga ushtarët izraelitë

Shpërndaje

Alaa al-Dali, një i ri palestinez në Rripin e Gazës, i cili dy vite më parë pranoi një biçikletë si dhuratë nga presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ka humbur këmbën pasi është qëlluar nga ushtarët izraelitë gjatë protestave anti-okupuese që po vazhdojnë në kufirin e Gazës.

Që kur pranoi biçikletën në shtator të vitit 2016 si një dhuratë personale nga presidenti turk Erdoğan për banorët e Gazës, al-Dali e ka përdorur atë për t’u bërë çiklist profesional.

Megjithatë, ai tanimë nuk do ta ngasë atë për shkak të gjymtimit nga ushtria izraelite, ndërsa thotë se okupimi izraelit ia ka shkatërruar ëndrrat.

“Ndihem se okupimi ka shkatërruar të gjitha ëndrrat e mia”, tha al-Dali në një intervistë ekskluzive me Anadolu Agency (AA).

Turqia dërgoi rreth 14.000 tonë ndihma në Rripin e Gazës në dy anije në vitin 2016 dhe anijen e tretë kah mesi i vitit 2017, si pjesë e përpjekjeve të Turqisë për të lehtësuar vuajtjet e rreth dy milionë banorëve të Gazës, të cilët jetojnë nën bllokadë izraelite që prej vitit 2007.

“Falënderojmë Turqinë për mbështetjen që ka ofruar për ne”, tha al-Dali.

“Shpresoj se Turqia do të vazhdojë të na mbështesë në mënyrë që ne të mund të vazhdojmë ëndrrat tona sportive”, tha ai.

– Ëndrra e humbur

Al-Dali filloi pasionin e tij në çiklizëm kur ishte tetë vjeç dhe iu bashkua ekipit kombëtar palestinez në vitin 2014 dhe fitoi një numër medaljesh.

Ai ishte i vendosur për të marrë pjesë me ekipin kombëtar palestinez në një garë në kryeqytetin indonezian Xhakarta muajin e ardhshëm.

Tani, planet e tij kanë përfunduar pasi ai humbi këmbën e tij.

Duke kujtuar dëmtimin e tij, al-Dali tha se ishte veshur me veshje sportive dhe po qëndronte në mënyrë paqësore rreth 200 metra larg kufirit kur u qëllua në këmbën e tij të djathtë.

“Rashë në tokë pasi u qëllova”, kujton me hidhërim i riu palestinez.

Ai u transferua në një spital të afërt, por kishte rastisur në numër të madh palestinezësh të plagosur, duke e detyruar të presë rreth tre orë për të marrë kujdes mjekësor.

Çiklisti palestinez kaloi dy ditë nën kujdes intensiv dhe iu nënshtrua tetë operacioneve për ta shpëtuar karrierën e tij, megjithatë, përpjekjet ishin të kota, pasi amputimi ishte e vetmja zgjidhje.

Ai iu nënshtrua operacionit të transplantimit të arteries, por kjo gjithashtu dështoi.

“Operacioni dështoi për shkak të efektit të plumbit shpërthyes të përdorur nga ushtarët izraelitë, që shkrin çdo arterie të implantuar,” tha al-Dali.

Të paktën 41 palestinezë janë vrarë dhe mijëra të tjerë janë plagosur nga sulmet e ushtrisë izraelite që nga 30 marsi, kur palestinezët filluan të tubohen përgjatë kufirit lindor të Rripit të Gazës me Izraelin nën moton “Marshi i Kthimit të Madh” me rastin e “Ditës së Tokës”, 42-vjetorit të pushtimit të një pjese të madhe të territoreve palestineze nga ana e Izraelit më 30 mars të vitit 1976.

Tubimet janë pjesë e një demonstrate gjashtë-javore që do të kulmojë më 15 maj. Kjo ditë do të shënojë 70 vjetorin e krijimit të Izraelit, ngjarje që palestinezët i referohen si “Nakba” ose “Katastrofa”.

Demonstruesit kërkojnë që refugjatëve palestinezë t’u jepet “e drejta e kthimit” në qytetet dhe fshatrat e tyre në Palestinën historike, nga e cila u dëbuan në vitin 1948 për t’i hapur rrugën krijimit të shtetit të ri të Izraelit.

Loading...