Pas 18 vjetëve shpallen të pafajshëm të akuzuarit shqiptarë për vrasjen e policëve në Haraçinë (Video)

Shpërndaje

Pas 18 vitesh agoni, torturë fizike dhe psikike, shqiptarët e akuzuar për vrasjen e tre policëve në hyrje të Haraçinës lirohen tërësisht nga akuzat për të dytën herë me radhë. Gjykatësja Lidija Zimbovska arsyetoi se e ka marrë këtë vendim pasi nuk ka gjetur asnjë provë e cila i lidh Lirim Dinaricën, Emrulla Emrullain, Ramiz Asanin dhe Bajram Muçën me vrasjen e vitit 2000, raporton SHENJA.

Dinarica dhe Emurllai e dëgjuan verdiktin nga salla e gjykatës, ndërsa Muça dhe Asani nga qelia e burgut, pasi akuzohen për vepër tjetër penale.

Zimbovska lexoi një sërë dëshmish që prokuroria i kishte prezantuar kundër të akuzuarve, dhe tha se prokuroria ka propozuar prova të pabaza që nuk i ka verifikuar mirë.

Lidija Zimovska, gjykatëse

“18 vite proces gjyqësor. Tragjike është që asnjëherë nuk u zbuluan autorët e vërtetë të këtij rasti. Shumë fakte për neve mbetën të dyshimta. Deklarata e Lirim Dinaricës u refuzua pasi ishte marrë nën torturë, por edhe mjeku kishte konstatuar se të gjithë të akuzuarit gjatë paraburgimit janë keqtrajtuar dhe ndaj këtij fakti nuk do t’i mbyllim sytë. Prokurorët nuk duhet t’i mbyllin proceset shpejtë e shpejtë pa i verifikuar mirë faktet dhe sidomos në këtë rast ku të akuzuarve u rrezikohej burgu i përjetshëm. Nuk ka prova se këta persona janë vrasësit”

Zimboska më tej kujtoi se prokuroria i ka akuzuar shqiptarët e Shkupit për gjoja tentim që të trafikojnë tetë kilogram drogë dhe armë, por këto sende nuk janë gjetur asnjëherë. Edhe deklaratat e dëshmitarëve për Zimbovksën janë kundërthënëse, ndërsa si fakt në interes të të akuzuarve e kishte marrë edhe dëshminë e disa dëshmitarëve që kanë treguar saktë se të akuzuarit atë natë nuk kanë qenë në Haraçinë.

Lirim Dinarica dhe Emrulla Emrullai kishin qenë nga 19 vjeç kur i ka arrestuar policia, ndërsa njëri prej të akuzuarve të tjerë ka qenë madje vetëm 15 vjeç dhe kanë qëndruar nga dy vite në burg, para se të lejoheshin që të mbrohen në liri.

Lirim Dinarica, i liruar nga akuzat

“Unë e kam pritur këtë vendim për 18 vite sepse e kam ditur se nuk kanë asnjë fakt kundër neve. Por, në shtetin tonë Maqedoni, kemi shumë raste si rasti im, ku shqiptarët vuajnë nëpër burgje. Më vjen mirë që ne u liruam sot dhe shpresoj që të gjithë të pafajshmit të lirohen…Ka qenë stresuese si për mua, si për familjen, por nuk të pyet askush…Mua mi kanë marrë vetëm nënshkrimet bllanko, e kanë shkruajtur një vjershë e cila u ka konvenuar… Asnjëherë nuk është gjetur as droga e as arma, kështu që po them Lirim Dinarica as dënim nuk ka të paguar në këtë shtet, e lere më ndonjë vepër kriminale”

Emurlla Emurllai e cilësoi këtë rast si proces të montuar politik nga shteti.

Emrulla Emrullai, i liruar nga akuzat

“Atë vepër neve na e ka montuar shteti, siç ka dashur vetë…Kjo për neve ka qenë tmerr. Shteti dhe policia të të akuzojnë për nje vepër që nuk e ke bërë. Shteti dhe politika e atëhershme, qëllimet e veta që i kanë patur, dhe na e kanë montuar neve rastin. Na kanë kapur neve dhe na e lanë neve në ato momente. As unë nuk e di se si ndodhi kjo. Ne kemi qenë 19 vjeçarë dhe as nuk kemi patur idenë për kështu gjërash”

Emurllai dhe Dinarica paralajmëruan kërkesën për dëmshpërblim dhe madje thanë se këtë rast do ta dërgojnë deri në Gjykatën e Strazburgut.

Për vrasjen e tre policëve në vitin 2000, ishin akuzuar shtatë persona. Lirim Dinarica, Emrulla Emrullai, Ramiz Asani, Bajram Muça. Sabri Asani, Bashkim Asani dhe Agim Asani kanë ndërruar jetë. Sabri Asani ishte vrarë gjatë aksionit policor. Ata akuzoheshin për vrasjen e policëve Eroll Gotaku, Kirill Petrushevski dhe Aco Angellovski. Vendimi i parë i Gjykatës Penale ishte poashtu liri për të akuzuarit por e pakënaqur nga vendimi, prokuroria e ankimoi vendimin në shkallën e Apelit e cila e ktheu lëndën në rigjykim. Lënda për 18 vite shetitej nga gjykatësi në gjykatës dhe sa herë që duhej të mbaheshin seanca gjyqësore ndodhnin komplikime dhe anulime.

Loading...