Përçarjet në “Besa”, Gjykata refuzon kërkesën e Gashit
Gjykata Themelore Shkupi 2 ka refuzuar kërkesën e Afrim Gashit për të ndryshuar të dhënat nga regjistri gjyqësor të partive politike dhe shkurtimin e emrit nga Lëvizja Besa në Besa. Pas refuzimit Bilall Kasami tha se me automatizëm partia i takon krahut të tij.
Me këtë vendim të Gjykatës refuzohet kërkesa e pabazuar e grupit tjetër jo formal duke ua bërë me dije se organet e partisë zgjidhjen nga anëtarët e saj dhe jo nga qarqe të dyshimta që nuk ua duan të mirën shqiptarëve dhe që nuk janë në shërbim të tyre – tha Bilall Kasami, Kryetar i Lëvizjes Besa.
Për krahun e Afrim Gashit ky vendim i Shkupi 2 është i papranueshëm. Skender Rexhepi tha se presin vendimin e Gjykatës Administrative.
Për ne thelbësore kanë qenë vendimet e falsifikuara më 15 nëntor 2017 dhe 4 dhjetor 2017 gjë që është bërë gjatë procesit të rrethit të tretë të zgjedhjeve lokale, me çka ai falsifikon dokumente të Këshillit Qendror. Ne jemi të bindur se Gjykata Administrative do t’i shpall të pavlefshme ato dokumente dhe me shpalljen e tyre të pavlefshme i gjithë procesi rreth legjitimitetit të Lëvizjes Besa kthehet nga 15 nëntori e këtej – u shpreh Skender Rexhepi, Sekretar i përgjithshëm i Lëvizjes Besa.
Përçarjet në Besa dolën në pah pas zgjedhjeve lokale kur grupi i Shkupit kishte shkarkuar Bilall Kasamin nga posti kryetar i partisë. Në kongresin e mbajtur më 18 shkurt, krahu i Shkupit zgjodhi Afrim Gashin si të parin e partisë, ndërsa krahu tjetër më 24 shkurt rizgjodhi Bilall Kasamin për kryetar partie./Alsat-M