Përleshja e armatosur në Reçicë të Vogël, sot pritet zbardhja e incidentit

Shpërndaje

Njësitet policore pritet që të vazhdojnë zbardhjen e mëtejshme të incidentit të mbrëmshëm në afërsi të selisë së BDI-së në Reçicë të Vogël të Tetovës, ku gjatë përleshjes së armatosur ndërmjet dy grupeve u vra Naip Rexhepi- Bellanoca dhe u plagosën dy persona: S.R. dhe F.M., që të dy nga Kumanova. Ky i fundit, për shkak të plagëve serioze, është dërguar menjëherë në Klinikën e Shkupit dhe mësohet të jetë në gjendje të rëndë shëndetësore.

Ndërkohë, policia mbrëmë ka ndaluar dy persona të dyshuar për sulmin me armë zjarri. Personi i parë i identifikuar me inicialet B. R. është nga Kumanova, ndërsa L.B. është nga Shqipëria.

Besohet se në përplasjen e armatosur kanë marrë pjesë më shumë persona, dhe kjo e zgjeron edhe pistën e hetimeve të autoriteteve të sigurisë. Mbrëmë, policia aplikoi masa të rrepta, ku çdo veturë që dilte nga Tetova fillimisht i nënshtrohet kontrollit.

Loading...