Policia shqiptare: Shkatërrimi i organizatës së kokainës, në bashkëpunim me italianët (Video)
Policia e Shtetit, pas lajmit të dhënë në mediat italiane, lidhur me një operacion anti-drogë të zhvilluar në Itali dhe Shqipëri, ka dhënë detajet e para.
Siç bëhet me dije në një njoftim për mediat nga policia, operacioni është organizuar dhe finalizuar falë bashkëpunimit mes strukturave të hetimit të narkotikëve të dy policive, italiane dhe shqiptare, në veçanti me grupin operativ të Guardia di Finanza të Romës.
Në orët e para të mëngjesit të sotëm, Policia e Shtetit në bashkëpunim dhe koordinim me forcat policore italiane të shërbimit Antidrogë kanë ekzekutuar njëkohësisht në Itali dhe Shqipëri urdhër arrestet ndërkombëtare të lëshuara nga Prokuroria e Romës në kuadër të operacionit “Affari di famiglia”, për veprat penale të “Trafikimit të narkotikëve” dhe “Pastrimit të parave”.
Në Shqipëri janë vënë në pranga Edmir Hatija, 41 vjeç dhe Elidon Shpërdheja, 38 vjeç, të dy banues në Fier. Ndërkohë në Itali janë arrestuar 5 persona, 3 italianë dhe 2 shqiptarë, Aleks Boci 38 vjeç, Florian Prendi 31 vjeç.
Nga hetimet e para mësohet se në krye të kësaj organizate ishte shqiptari Aleks Boci, i cili i ndihmuar edhe nga disa shqiptarë që ishin rezidentë në Belgjikë, kishin mundur që të krijonin rrugën e trafikut të drogës nga Amerika e Jugut në veri të Europës e më pas në Romë, transmeton Express.
Organizata në fjalë trafikonte kokainë, ku përmes portit të Anverës, arrin të çonin sasinë e drogës në Romë, ku aty ishin dy trafikantë italianë, Claudio Cesarini e Daniele Ferri të njohur nga policia, të cilëve u ishte caktuar shitja e saj.
Deri tani, policia italiane ka mundur që të dokumentojë rreth 160 kg kokainë të trafikuar në 8 rrugë importimi të saj nga Amerika e Jugut, ndërsa ata kanë bërë të mundur sekuestrimin e vetëm 9 kg të kësaj sasie. Po ashtu, siç bëjnë me dije mediat italiane, policia italiane ka mundur që të dokumentojë vetëm 1 milionë e 600 euro, prej të cilave janë vënë nën sekuestrim rreth 430 mijë euro, por mendohet se fitimet janë shumë herë më të mëdha.
Hetimet e deritanishme nga policia italiane kanë dalë në përfundimin se një sasi e kësaj droge ishte porositur nga bosi i mafioz i Ndraghetas Davide Perronace. Operacioni i koduar “Biznes familjar”, është në vazhdim të operacionit tjetër të suksesshëm të policisë italiane, asaj “Romana” ku në 10 tetor të vitit 2017, u arrestuan 18 personave në rajonet e Calabria, Lazio, Piemonte, Lombardia, Veneto e Sardegna, të cilët bashkëpunonin me klanin Alvaro të mafias kalabreze Ndrangheta.