Protesta në Kukës, Rama: Vandalët që kaluan vijën, do ndëshkohen! (LIVE/VIDEO)

Shpërndaje

Kryeministri Edi Rama e cilësoi si dezinformim që orkestrohet nga zjarrnxitësit e Tiranës dhe që për fat të keq gjen të gjitha kanalet hapur në pasqyrën mediatike të Tiranës, për situatën e krijuar në Kukës, lidhur me tarifën për Rrugën e Kombit dhe protestën e qytetarëve.

Në një komunikim të posaçëm me mediat paraditen e sotme, ai bëri me dije se do të ketë komunikim intensiv me banorët.

Ai bëri me dije se kontrata është e nënshtruar prej dy vitesh dhe ka një vit që kompania ka filluar punë.

“Në këtë fushatë dezinformimi ne duhet të kishim bërë më shumë, por tashmë do bëjmë më shumë për të informuar më shumë publikun dhe më konkretisht banorët. Kontrata nuk parashikon që nëse çohet një grup vandalësh dhe dëmton autostradën, është detyrim i shtetit të mbrojë pronën publike dhe private dhe kur këto investime sulmohen dhe digjen nga vandalë, sigurisht që kush i ka bërë investimet, kërkon dorën e shtetit. Kontratat nënshkruhen për shoqëri të civilizuara. Sa të veshë e vërteta pantallonat, gënjeshtra ka bërë gjysmën e botës”, u shpreh Rama.

Lidhur me goditjen e policisë ndaj protestuesve, kreu i qeverisë tha se dihet që ka një zonë të përcaktuar për protestën, kështu që godet apo s’godet sipas tij, je në shkelje të ligjit, kur kapërcen vizën.

“Në kushtet që ishin dje, policia ka bërë më të mirën e mundshme duke ruajtur gjakftohtësinë përballë një tufe vandalësh të cilët do të marrin pa diskutim ndëshkimin e merituar”, deklaroi Rama.

Ai tha ndër të tjera se në kontratë është shkruar dhe duhet aplikuar brenda 6 muaj sistemi për përdoruesit e rregullt të shpeshtë, ata që banojnë në atë zonë, kurse për të tjerët tha se janë përdorues të rrallë që kalojnë 2-3 herë në vit.

Por në këtë linjë nënvizoi se për banorët do të ketë një sistem të posaçëm që do u shërbejë gjithë atyre që janë përdorues të rregullt të rregullt të cilët do të marrin abone që vetvetiu redukton çmimin.

Lidhur me nxitësit e protestës, Kryeministri deklaroi se ata janë aty, në sy të të gjithëve dhe se e di i madh e i vogël se kush janë.

“Deri në momentin që unë flasë kompania ka bërë 15.2 milionë euro investime mbrojtëse. Ju keni transmetuar kronika për rrëshqitje masive gurësh në Rrugën e Kombit. Ura në rrezik shembje dhe investime të shumta janë bërë për tunelin. Vetëm mirëmbajtja e tunelit shkon mbi gjysmë milionë euro në vit”, tha ndër të kreu i qeverisë.

Loading...