Qeveria e harron kufirin Llojan – Miratoc, Angjushev ja për cilën pikë kufitare shkoi në Beograd
Në rrjetet sociale kanë shpërthyer reagime të qytetarëve të vendbanimeve të zonës kufitare të komunës së Likovës dhe komunës së Preshevës, pas vizitës së zv/kryeministrit maqedonas Koço Angjushev në Beograd, i cili kishte në agjendë përshpejtimin e ndërtimit të pikës së përbashkët kufitare Tabanoc – Preshevë.
“Vendkalimi kufitar Preshevë-Tabanoc mes Serbisë dhe Maqedonisë do të duhet të fillojë së ndërtuari në vitin 2019, në vend të vitit 2020, siç ishte paraparë më herët”, u dakorduan sot zëvendëskryeministri i Maqedonisë Koço Angjushev dhe ministrja serbe për Ndërtimtari, Trafik dhe Infrastrukturë, Zorana Mihajloviq.
Ministrja Mihajlloviq theksoi se takimi me Angjushevin ishte efikas dhe se u arrit marrëveshje për një përpjekje të përbashkët për fillim të shpejtë të ndërtimit të vendkalimit kufitar Preshevë – Tabanoc.
Por qytetarët e Preshevës dhe të komunës së Likovës dhe Kumanovës thonë se nuk duhet të anashkalohet pika kufitare Llojan – Miratoc, e cila lidh këto zona që kanë lidhje të ngushta familjare dhe që ndikojnë në uljen e fluksit të kalimeve në Tabanoc. Kërkesën për hapjen e kufirit e ka bërë edhe kryetari i Preshevës, Shqiprim Arifi, i cili është zotuar se gjatë andatit të tij do ta realizojë këtë synim. Por nga ana tjetër, tek pala e Shkupit nuk është prioritet hapja e kësaj pike kufitare.