Raporti i Progresit 2018 për Maqedoninë: evropianizimi i vendit kërkon transformim rrënjësor demokratik, jo reforma ne letër

Shpërndaje

Një vit e gjysmë pas paketës së fundit të zgjerimit, Komisioni Evropian  publikoi dje paketën e zgjerimit 2018, bashkë me raportet e progresit për shtetet kandidate dhe kandidate potenciale.

Aleanca për Shqiptarët e ka analizuar me kujdes Komunikatën e Komisionit Evropian, e cila vjen dy muaj pas Strategjisë së re të BE-së për gjashtë vendet të Ballkanin perëndimor, e cila përcaktoi vitin 2025 si cak për integrimin e këtyre vendeve në Bashkimin Evropian.

Komisioni Evropian u rekomandon shteteve anëtarë të BE-së hapjen e negociatave për anëtarësim me Maqedoninë dhe Shqipërinë. Aleanca për Shqiptarët mirëpret këtë rekomandim dhe qëndron e gatshme të japë kontributin e saj për të realizuar jo vetëm reformat e kërkuara por edhe transformimin e gjithanshëm politik, ekonomik dhe shoqëror i cili nevojitet për të realizuar evropianizimin e Maqedonisë, si përcaktim esencial dhe strategjik i vendit dhe garantues i vetëm i demokratizimit dhe i kthimit të shpresës për gjithë qytetarët e saj.

Megjithatë, sa i përket Maqedonisë, duhet theksuar se ky rekomandim nuk përbën ndonjë risi e as ndonjë sukses i Qeverisë LSDM-BDI sepse që nga viti 2009, Komisioni Evropian vazhdimisht ka bërë rekomandime të tilla. Në dy raportet e fundit të progresit, rekomandimi për hapje të negociatave ishte i kushtëzuar me zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Përzhinos dhe të Prioriteteve të Reformave Urgjente të Komisionit Evropian, të dala nga Raporti Priebe.

Edhe rekomandimi i sotëm për hapje të negociatave është i kushtëzuar me thellimin e zbatimit të Prioriteteve të Reformave Urgjente. Veç kësaj, qasja e re e Komisionit Evropian në negociata për anëtarësim e njohur si “qasja e përforcuar” nënkupton se kapitujt 23 dhe 24 të acquis communautaire, që kanë të bëjnë me shtetin ligjor, korrupsionin dhe gjyqësorin hapen ndër të parat dhe mbyllën krejt të fundit, me mundësi të pezullimit të negociatava nëse nuk ka progres të mjaftueshëm në zbatimin e masave të kërkuara nga BE-ja.

Logjikisht, Raporti i Progresit 2018 fokusohet kryesisht në zbatimin e prioriteteve të dala nga Marrëveshja e Përzhinos dhe të Prioriteteve të Reformave Urgjente. Në përgjithësi, raporti i Komisionit Evropian vlerëson se një pjesë e konsiderueshme e këtyre prioriteteve janë zbatuar, sidomos sa i përket Marrëveshjes së Përzhinos. Mirëpo, një lexim më i hollësishëm i Raportit të Progresit tregon se shumica e të arriturave të Qeverisë LSDM-BDI në fakt janë më tepër të arritura në letër sesa të arritura në vepër. Me fjalë tjera, reformat e Qeverisë janë të natyrës kozmetike dhe nuk sjellin transformimin rrënjësor demokratik të kërkuar nga Strategjia e re për zgjerim e BE-së.

Komisionit Evropian ka shprehur rezerva në adresë të Qeverisë thuajse në çdo sektor, por ato më domethënëse kanë të bëjnë me shtetin ligjor, korrupsionin, pavarësinë e pushtetit gjyqësor, reformimin e Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim, reformat në administratën publike dhe të sistemit zgjedhor, decentralizimin si dhe performancën ekonomike të vendit.

  1. Adresimi i kapjes së shtetit dhe konsolidimi i shtetit ligjor

Raporti i Progresit nuk veçon ndonjë të arritur konkretë por thekson se “gabimet e së kaluarës nuk bën të përsëriten”, që në gjuhën diplomatike nënkupton shqetësim për rreziqe që i kanosen shtetit ligjor. Në këtë rrafsh, Aleanca për Shqiptarët vazhdimisht ka denoncuar kapjen e re të shtetit që po e instalon qeveria LSDM-BDI përmes vazhdimit të pandëshkueshmërisë të zyrtarëve të korruptuar, instrumentalizimit të institucioneve të shtetit për agjenda partiake dhe luftës speciale të pushtetit kundër opozitës shqiptare. Pra, ekziston një rrezik serioz se një regjim i ri po zëvendëson të vjetrin.

  1. Luftimi i korrupsionit

Komisioni Evropian konfirmon se korrupsioni vazhdon të mbetet problem shumë serioz në vend dhe se numri i dënimeve në rastet e korrupsionit të nivelit të lartë është fare i papërfillshëm. Nga themelimi i Prokurorisë Speciale në shtator 2015, kemi vetëm një dënim të vogël nga gjithsej afër 30 raste të hapura. Në një vend ku krerët e tri partive politike më të mëdha janë në procedura hetimore apo duke u gjykuar për korrupsion dhe ku disa ministra të qeverisë janë të dyshuar për afera korruptive, rreziku është i madh që pazaret politike t’i diktojnë gjyqësorit të kapur amnistinë e figurave kryesore të regjimit të vjetër dhe atij të ri.

  1. Pavarësia e pushtetit gjyqësor

Raporti i Progresit konstaton se reformat e dakorduara nuk janë zbatuar mjaftueshëm dhe se nevojitet më tepër angazhim dhe vullnet politik për të siguruar pavarësinë e gjyqësorit. Komisioni Evropian kërkon masa konkrete për të parandaluar ndikimin e politikës mbi gjyqësorin dhe reforma rrënjësore të sistemit të burimeve njerëzore në gjyqësor, të cilat Aleanca për Shqiptarët i përkrahë plotësisht. Siç u pa me rastin e Almirit të vogël, vazhdon të mbetet problematik roli i Prokurorit Shtetëror Publik, të cilit korniza ligjore në fuqi i lejon që të ushtrojë ndikim të jashtëzakonshëm mbi sistemin e drejtësisë. Kjo duhet të ndryshojë urgjentisht në mënyrë që roli i Prokurorit Publik të jetë në përputhje me standardet evropiane. Në fund, vlen të theksohet se Raporti i Progresit ngrit shqetësim rreth fenomenit të drejtësisë selektive, veçanërisht në lidhje me rastet e montuara politike. Në këtë rrafsh, Aleanca për Shqiptarët bën thirrje për sjelljen para drejtësisë të zyrtarëve të regjimit VMRO-BDI të cilët orkestruan rastin e Kumanovës, sulmin terrorist mbi Parlamentin më 27 prill 2017 si dhe të gjitha rastet tjera të montuara politike.

  1. Reformimi i Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim (DSK)

Raporti i Progresit konstaton se janë ndërmarrë disa hapa për kontrollin e brendshëm të DSK-së dhe mbikëqyrjen e saj parlamentare mirëpo pa mundur të veçojë ndonjë të arritur konkrete. Aleanca për Shqiptarët vazhdimisht ka ngritur dyshime rreth procesit të reformimit dhe degruevizimit të DSK-së duke marrë parasysh ndikimin e militantëve të regjimit VMRO-BDI dhe të ish-vartësve të Sasho Mijallkovit në komisionin shtetëror të themeluar me këtë qëllim.

  1. Reforma e administratës publike

Raporti i Progresit konstaton partizimin e administratës nga ana e Qeverisë LSDM-BDI e cila në këtë drejtim, nuk dallon shumë nga regjimi VMRO-BDI. Raporti thekson mungesën e transparencës thuajse sistematike në emërime dhe shkarkime të shërbyesve civilë, të cilat vazhdojnë të bëhen pa kritere dhe në baza partiake me qëllim të kapjes së administratës. Partizimi i administratës u shfaq në mënyrën më brutale me rastin e marrjes së kompetencave në arsim të Komunës së Gostivarit dhe rezultoi me pasoja të rënda për profesorët e shkollës së mesme të Gostivarit të cilët u rrahën me mjete të forta nga militantët e BDI-së dhe përfunduan në spital me lëndime serioze. Kapja e administratës duhet të ndalet menjëherë dhe të respektohet korniza ligjore për të garantuar profesionalizmin si dhe rekrutime dhe avancime në bazë të meritokracisë, jo në bazë të librezës partiake.

  1. Reforma e sistemit zgjedhor

Kritikat më të mëdha të Komisionit evropian kanë të bëjnë me mosfreskimin e listave të votuesve si dhe me praktikat e shantazhimit dhe frikësimit të votuesve të cilat Aleanca për Shqiptarët i ka denoncuar në zgjedhjet e fundit lokale. Kemi qenë dëshmitarë se si Ministri i Brendshëm Spasovski kishte keqpërdorur postin dhe tërë aparatin shtetëror njëjtë sikur paraardhësit e tij nga VMRO, në mënyrë që përmes manipulimeve, kërcënimeve dhe shantazhimeve të ndikojë në rezultatin e zgjedhjeve në komunat shqiptare në favor të kandidatëve të korruptuar të BDI-së. Praktika të tilla duhet të ndalen menjëherë në mënyrë që të kthehet besimi i popullit në procesin zgjedhor dhe të garantohen zgjedhje fer dhe demokratike.

  1. Decentralizimi dhe qeverisja lokale

Raporti i Progresit thekson mungesën e financimit dhe ofrimit të shërbimeve publike në nivelin komunal, gjë që tregon për një përqendrim të tepërt të pushtetit në organet qendrore. Aleanca për Shqiptarët do të angazhohet për ndarje të re territoriale dhe një ligj të ri për decentralizim i cili mundëson vendimmarrje të plotë të komunave në fushat e tyre të përgjegjësisë. Aleanca për Shqiptarët do të angazhohet gjithashtu për fuqizimin e pushtetit lokal përmes rritjes së të ardhurave të komunave ndër tjera përmes rritjes së përqindjes së TVSH-së që do të ju kthehet komunave deri në 30% dhe të tatimit personal në të ardhura që iu mbetet komunave deri në masën 35%-40%.

  1. Politika ekonomike

Pika e fundit, por jo më e parëndësishmja në analizën tonë ka të bëjë me performancën ekonomike të pushtetit. Raporti i Progresit konfirmon se rritja ekonomike në Maqedoni ishte e barabartë me zero në vitin 2017. Niveli i papunësisë mbetet ndër më të lartit në Ballkan, sidomos tek të rinjtë tek të cilët papunësia është 50%. Edhe më shqetësues është fakti, i konfirmuar nga raporti vjetor i Bankës Botërore për Ballkanin i publikuar javën e kaluar, se për herë të parë në historinë e vendit ka zvogëlim të fuqisë punëtore për shkak të emigrimit. Sipas Bankës Botërore, mbi 25% e popullsisë së Maqedonisë, kryesisht fuqia punëtorë më e kualifikuar dhe me arsim të lartë ka ikur nga vendi. Si pasojë e diskriminimit në tregun e punës dhe të partizimit të administratës, shpërngulja prek shqiptarët në mënyrë disproporcionale në krahasim me maqedonasit dhe mund të përllogaritet se 40-50% e shqiptarëve e kanë braktisur vendin. Ky emigrim në masë i fuqisë punëtore më të kualifikuar është shumë shqetësues për të ardhmen e vendit, i cili do ta ketë vështirë të ndërtojë një fuqi punëtorë të kualifikuar për t’u përballur me sfidat e së ardhmes në një Evropë konkurruese. Për të dalë nga kjo situatë, Aleanca për Shqiptarët angazhohet për rritje të investimeve vendore dhe të huaja në tërë vendin pa segregime etnike duke i dhënë përparësi sektorit të prodhimit dhe zgjerimin e kapaciteteve ekzistuese prodhuese e cila do të mundësojë krijimin e vendeve të reja të punës dhe lidhjes së kapaciteteve prodhuese vendore me ato në zonat e lira ekonomike. Duhet të fokusohemi gjithashtu në përmirësimin e ambientit të biznesit, stimulimin e konkurrencës si dhe mbështetjen e kapitalit njerëzor përmes investimeve në programe mësimore kualitative të bazuar në nevojat e tregut të punës. Vetëm kështu ndalet largimi i rinisë dhe i fuqisë punëtore në përgjithësi, veçanërisht i shqiptarëve nga vendlindja.

Realiteti i përshkruar nga Raporti i Progresit është mjaft i zymtë dhe tregon një storie tjetër krahasuar me propagandën e pushtetit. Aleanca për Shqiptarët inkurajon partitë politike, shoqërinë civile dhe të gjithë aktorët e jetës politike në vend, që të përqendrohen në leximin e drejtë të Raportit të Progresit. Kjo agjendë kërkon që të angazhohemi të gjithë së bashku në ndërtimin e konsensusit të brendshëm dhe të gatishmërisë politike për të gjetur zgjidhje për tejkalimin e problemeve të nënvizuara nga Komisioni Evropian.

Tani është momenti i fundit për të kthyer në binarë të vërtetë perspektivën evropiane të vendit, duke ndërtuar shtetin ligjor, dekriminalizimin shoqëror, zhvillimin socio-ekonomik të vendit, rindërtimin infrastrukturor, paqen dhe stabilitetin. Evropianizimi i Maqedonisë nuk është vetëm një proces i reformave teknike në letër por ai nënkupton transformim rrënjësor demokratik, në nivelin politik, ekonomik dhe atë shoqëror pa të cilin perspektiva e anëtarësimit do të mbetet një cak i largët dhe i paarritshëm. Ky transformim demokratik është garantuesi i vetëm i zhvillimit të qëndrueshëm, shtetit ligjor, demokracisë dhe stabilitetit afatgjatë për të cilët angazhohet Aleanca për Shqiptarët.

Loading...