Raporti i progresit, Osmani: Stimul për të ecur para drejt anëtarësimit

Shpërndaje

Zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bujar Osmani, konsideron se vlerësimi pozitiv i Komisionit Europian për Raportin e progresit të Maqedoninë është stimul për vazhdimin e reformave që synojnë anëtarësimin e Maqedonisë në BE.
Në një intervistë për “Argument” në TVM2, Osmani tha se pas kësaj note pozitive Maqedonisë i mbetet që deri në qershor të zgjidh çështjen e emrit, që Bashkimi Europian të japë rekomandim për çeljen e bisedimeve.

“Komisioni Europian i rekomandon këshillit të Bashkimit Europian që të japë datë për fillim të bisedimeve. Votimi për datën është në qershor në këshill dhe bëjnë pjesë përfaqësuesit e shteteve anëtare jo të komisionit, por të këshillit, dhe vendimi merret me konsensus, d.m.th. një të jetë kundër nga 28 vendet anëtare, vendimi nuk mund të sillet, dhe deri më tani asnjëherë nuk e kemi marrë datën për shkak të Greqisë dhe votimit kundër për të marrë një datë. Ne shpresojmë që deri atëherë do të kemi një zgjidhje për çështjen e emrit, që të mund të marrin datën për fillim të bisedimeve, për shkak se Maqedonia është e përgatitur për të filluar bisedimet. Maqedonisë po t’i jepet mundësia për të negociuar, do t’i tejkalojë shumë shpejt edhe Serbinë edhe Malin e Zi, për shkak se është më e vjetra në këtë proces”,- tha zëvendëskryeministri për çështje europiane, Bujar Osmani.

Sundimi i së drejtës, krimi i organizuar dhe korrupsioni janë tre vërejtjet në raportin aktual. Osmani thotë se me planin “3-6-9” po veprohet edhe në këto segmente me financa të BE-së.

“Kanë marrë vend kryesor në Planin “3-6-9”, sikurse lufta kundër krimit të organizuar, kundër korrupsionit, lufta kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, gjyqësori i pavarur, shërbimet e inteligjencës, të cilat do të jenë profesionale dhe jo në funksion të politikës, kanë qenë shtyllat e Planit “3-6-9” dhe Komisioni Europian në Raportin e sotëm i vlerëson të arriturat e këtij procesi, natyrisht konstaton se ky është proces që nuk mund të mbyllet brenda natës, por kornizat janë vendosur të shëndosha dhe vullneti politik është i fuqishëm. Komisioni Europian do ta mbështesë edhe financiarisht këtë projekt dhe këto qëllime”,- theksoi zëvendëskryeministri për çështje europiane, Bujar Osmani.

96% e planit “3-6-9”, sipas Osmanit, është realizuar. Sipas tij, kanë mbetur të realizohen vetëm çështjet teknike, sikurse kodi etik në parlament dhe Ligji për ndihmë juridike falas.

Për Ligjin e gjuhëve Osmani thotë se shumë shpejt do të gjendet zgjidhje.

Zëvendëskryeministri Osmani deklaroi se pas përmbylljes së Planit “3-6-9”, qeveria përgatit jetësimin e planit të 2018-s, ku parashikohet vazhdimi i reformave me të njëjtën energji për të përgatitur vendin drejt BE-së, e cila nga viti 2001 ka nisur rrugëtimin e saj europian dhe pas dy raporteve të kushtëzuara tani i jepet mundësi e re për t’iu bashkangjitur familjes europiane.

Loading...