Skandali me poezitë, Lëvizja Besa kërkon shkarkimin e drejtorit të ARS-së (Video)
Lëvizja BESA dhe kryetari i saj Afrim Gashi, kërkon që Kryeministri i vendit ta shkarkojë nga funksioni drejtorin e Agjencisë për Rini dhe Sport, dhe të dëshmojë se motoja e tij ‘Një shoqëri’ nuk ka qenë blof për përfitime politike.
BESA konsideron se skandali i botimit të përmbledhjes me poezi nga Agjencia për rini dhe sporte në të cilën përdoret gjuhë diskriminuese dhe ofenduese ndaj shqiptarëve nuk duhet të kalojë pa ndëshkuar, pasi siç thonë ata, i bie që edhe Qeveria e mbështet botimin e tillë.
Florina Emini, Anëtare e kryesisë së Lëvizjes BESA
”Në kohën që autori i poezisë heq dorë nga autorësia, në kohën që drejtori i Agjencisë për të rinj dhe sport i rrudh krahët dhe luan rolin se nuk e di se për çka bëhet fjalë, kjo është një shans që së paku kryeministri të dëshmojë se e ka brengën e shoqërisë multi etnike, në të kundërtën i bije që të gjithë këta të mbështesin botimin e atyre të ashtuquajtura poezi. Për këtë arsye, Lëvizja BESA kërkon që sot, Kryeministri i vendit, ta shkarkojë nga funksioni drejtorin e Agjencisë për të rinjë dhe sport, dhe të dëshmojë se motoja e tij ‘Një shoqëri’ nuk ka qenë blof për përfitime politike“.
Nga BESA vlerësojnë se për shkak të mos dorëheqjes së drejtorit për arsye morale, duhet të bëhet shkarkimi i tij, pasi siç thonë ata, i njëjti do të shërbejë si mësim që gjëra të tilla të mos përsëriten në të ardhmen.
Florina Emini, Anëtare e kryesisë së Lëvizjes BESA
“Shkarkimi i tij sot, do të jetë një mësim për të gjithë ata të tjerët që nesër mund të shfaqin prirje diskriminuese dhe ofenduese ndaj shqiptarëve, derisa drejtori i kësaj Agjencie nuk jep dorëheqje, fundja për arsye morale, atëherë ai duhet të shkarkohet për arsye politike”.
Ndërkaq, kryeministri Zoran Zaev duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve e arsyetoi drejtorin e Agjencisë, ku edhe pse ai është nënshkruar si redaktor në këtë përmbledhje të poezive, Zaev tha se drejtori i Agjencisë nuk është i obliguar që të lexojë gjithçka që ndodhet në të gjithë materialin. Sipas Zaevit, drejtori i Agjencisë Darko Kaevski është kuadër i mirë dhe i njëjti ka treguar rezultate të mira. Zaev paralajmëroi se sot do të realizojë takim me Kaevskin duke shtuar se do të shqyrtohen të gjitha detajet dhe do të sjellin vendim të përbashkët.