Sulmi mbi selinë e YouTube, një i vrarë dhe 4 të plagosur
Të paktën një person mbeti i vrarë dhe katër të tjerë u plagosën në sulmin e armatosur që ndodhi dje në selinë e YouTube-s në qytetin San Bruno të Kalifornisë në SHBA, raporton Anadolu Agency (AA).
Shefi i policisë Ed Barberani tha se nga sulmi mbeti e vrarë një grua e cila konsiderohet si e dyshuar për kryerjen e sulmit, dhe pastaj bëri vetëvrasje.
Barberini tha se tre persona janë plagosur nga të shtënat me armë dhe se personi i katërt u lëndua pasi u rrëzua në përpjekje për të ikur nga ndërtesa.
Në mesin e të plagosurve në gjendje kritike janë një burrë 36-vjeçar dhe një grua 32-vjeçare ndërsa dy persona të tjerë janë jashtë rrezikut.
Mediat amerikane raportojnë se dyshohet që sulmi të jetë kryer nga 39-vjeçarja Nasim Najafi Aghdam. CNBC raporton se në sulm është përdorur një armë nëntë-milimetërshe dhe se me shumë gjasa nuk ka të bëjë me akt terrorist.
Mediat lokale gjithashtu raportojnë se e dyshuara vitin e kaluar kritikoi udhëheqjen e YouTube-s duke pohuar se censurohen videot të cilat i publikon në faqen “Nasime Sabz”. Ajo më pas hapi një faqe në Facebook dhe vazhdoi të kritikonte YouTube për pretendimet për censurë.
Hetimi në lidhje me rastin është në vazhdim e sipër dhe ka indikacione se e dyshuara për sulmin ishte në lidhje me 36-vjeçarin e plagosur rëndë.
Presidenti amerikan Donald Trump ka thënë se lutet për njerëzit që ishin shënjestër e sulmit dhe falënderoi ekipet e policisë dhe ambulancës për ndërhyrjen e tyre të shpejtë.
Udhëheqësi i Rrjetit YouTube, Sundar Pichai tha se sulmi i mbrëmshëm ishte një akt i tmerrshëm dhune.
Selia e rrjetit YouTube ndodhet në qendër të qytetit San Bruno ndërsa kompleksi përbëhet nga katër ndërtesa në të cilat punësojnë afër 2.000 njerëz.