Suspendohen policët që shqelmonin qytetarin e prangosur (Video)
Inspektorati Policor i Kosovës njofton se e ka trajtuar rastin e një video-incizimi, në të cilin shihen pjesëtarët e Policisë duke e rrahur një qytetar të prangosur.
Dy prej zyrtarëve të implikuar në këtë rast tashmë janë suspenduar nga Policia e Kosovës por për një rast tjetër në të cilin ata janë si të dyshuar.
Në një përgjigje për kallxo.com, IPK thotë se Departamenti i Hetimeve i Inspektoratit bazuar në autorizimet ligjore dhe fushëveprimin e vet ka trajtuar rastin e video-incizimit të publikuar sot.
“Hetuesit e IPK-së lidhur me këtë rast kanë ndërmarrë disa veprime hetimore dhe i njëjti është përcjellë në prokurorinë kompetente”, thuhet në përgjigjen e Inspektoratit.
Inspektorati i Policisë së Kosovës është përgjigjur kështu lidhur me një video-incizim të publikuar nga kallxo.com, në të cilin shihen pjesëtarë të Policisë duke e shqelmuar një qytetar, të cilin paraprakisht e kishin prangosur.
Rasti, sipas qytetarit që ka dërguar video-incizimin, ka ndodhur më 24 prill të vitit të kaluar.
Sipas përgjigjes, Inspektorati Policor ka rekomanduar masën e suspendimit të dy dy zyrtarëve policorë.
Por, kjo kërkesë për suspendim lidhet me një rast tjetër që IPK është duke e hetuar.
Sipas Inspektoratit, Policia e Kosovës që nga data 27 prill 2018 ka përfillur kërkesën për suspendim, pasi që të njëjtit zyrtarë policorë janë të përfshirë në një rast tjetër si të dyshuar.
Lexo më shumë në: http://www.gazetaexpress.com/lajme/suspendohen-policet-qe-shqelmonin-qytetarin-e-prangosur-530934/?utm_source=referral&utm_medium=web&utm_campaign=copyright