Taravari: Gjithçka është në dorën tonë! Vetëm se duhet të aktivizojmë Trurin Social

Shpërndaje

Arben Taravari

Në këtë kolumn kam vendosur të flas për një mikun tim shumë të afërt, i cili më ka marrë qindra e mijëra orë studimesh, më ka sfiduar me misterin e tij por më ka dhënë edhe përgjigje fantastike, më ka treguar se çdo situatë nis nga ai dhe zgjidhet po nga ai, e ky mik imi i cili është jetësor jo vetëm për mua po për të gjithë njerëzimin është: TRURI!

Duke mos dashur të përfundoj në një ligjëratë të komplikuar do të përpiqem të flas për disa nga qindra dhe mijëra vetitë e tij. E para si neurolog besoj shumë fort në atë që e kam quajtur Tru Social. Është një term që e kam pagëzuar duke ju referuar shoqërisë si një organizëm i vetëm dhe padyshim që truri është organi i tij kryesor. Por koncepti i Trurit Social është një proces që varet nga shumë faktorë, mbi të gjitha nga ndërgjegjësimi individual se ne jemi të gjithë në funksion të njëri-tjetrit, përndryshe Truri Social humbën funksionin e tij dhe dihet se çfarë ndodh kur organi kapital pushon së punuari. Tani le të shkojmë tek truri njerëzor. Të gjithë e dimë se ndodhet i mbuluar nga kafka dhe se aty ndodhet ekzekutivi i të gjitha veprimeve, aksioneve, reagimeve apo anomalive tona. Neuroshkenca ku përkas na tregon se në tru është zbuluar se në zonën prapa veshit të djathtë është zbuluar ajo që metaforikisht është quajtur “busulla morale”. Me fjalë të tjera truri ynë ka një mekanizëm perfekt që na tregon mënyrën se si duhet të sillemi ndaj të tjerëve. Mënyra e të sjellurit ndaj të tjerëve nuk është vetëm një proces që vjen nëpërmjet edukimit por një pjesë e mirë e rregullave të saj janë të koduara në tru. Kështu pra truri ynë lind me aftësinë e jashtëzakonshme (të koduar në gjene) të Etikës. Që në fëmijëri të hershme ne e dimë se çfarë është e mira, e drejta, heroikja dhe cilat janë të kundërtat e tyre. Duke parë sjelljen e Trurit të njeriut kur këta të fundit nisin të rriten vërej një stagnim, gati anomali të Busullës së Moralit. Është njësoj sikur dikush me anë të valëve magnetike të nxjerrin jashtë funksionit aftësinë tonë të lindur për të vlerësuar të Mirën dhe të Keqen.

Scott Peck-u, një psikiatër amerikan na tregon se një nga mallkimet më të rënda të trurit njerëzor është Entropia-Plogështia. Këtë fenomen madje psikiatri Peck, e lidh dhe me mëkatin e zanafillës, ç’ka shkencërisht dhe metafizikisht ka sens. Çfarë është ky mekanizëm që na dezorienton Busullën e Moralit dhe na ve në punë Plogështinë?! Duhet të kujtoheni që ndërkohë që ne lindim me moral të shkruar në trurin tonë si një informacion i dhënë, entropinë-plogështinë e fitojmë gjatë jetës, kjo e fundit nuk lind me ne! Me siguri si çdo sjellje e fituar vjen për shkak të anomalive sociale në të cilat përballemi që nga fëmijëria. Anomali të cilat në dukje janë gati të parëndësishme për ne: prindër që debatojnë me zë të lartë, baballarë apo nëna që qajnë në sy të fëmijës, më vonë profesorë që të diferencojnë në mes të një klase të tërë vetëm për shkak të etnisë, pastaj pamundësia për te gjetur punë, dëshpërimi rutinor dhe dorëzimi…të gjitha këto janë ushtarët që godasin pa pushim aty, në Busullën tonë të Moralit dhe arrijnë të deaktivizojnë një mekanizëm fantastik të njeriut për të dalluar çfarë është më e mira për të dhe e çojnë në grackën e robotizimit! Ne kthehemi pastaj në qenie të bindura, si shtazë laboratori, si minj që i përdorin për eksperiment! Por a është e mundur që të kthehet në punë Busulla Morale?! Sigurisht që po! Gjithçka është në dorën tonë! Vetëm se duhet të aktivizojmë Trurin Social.

Truri Social është më i fuqishëm se të gjitha ushtritë represive të mbledhura bashkë! Duke zbuluar problemin ku është, automatikisht kemi filluar edhe Zgjidhjet! Duke u mbledhur bashkë për të parandaluar krisjet sociale që dëmtojnë trurin tonë, do të mund të kemi përqindje të lartë të suksesit të përbashkët. Forca jonë qëndron në Trurin tonë! Kur mendoj që një pjesë shumë e vogël e individëve krahasuar me shumicën vuajnë nga sëmundje degjenerative të pakorrigjueshme të trurit, ndihem mirë në radhë të parë si neurolog e pastaj edhe si individ. Por kur mendoj që për arsye të komplikuara që ndoshta do t’i parashtrojë në një analizë tjetër, një pjesë e mirë e këtyre individëve me Busull Morale të dëmtuar njëherë e mirë janë ata që kujdesen për fatet tona, natyrisht që ndihem keq.

Ndaj edhe kam zgjedhur që të bëj një apel si mjek e si qytetar për të gjithë: dilni nga Plogështia! Ashtu si hyni ashtu mund të dilni! Të pastrojmë faktorët e rrezikut nga kushtet që na rrethojnë për të zhvilluar sa më urgjentisht më të fuqishmin Tru që është ai që e kam quajtur Tru Social!

Një tru mesatar i yni peshon 1 – 1.5 kg dhe është i kompozuar prej 1-2 miliardë neuroneve, nuk duhet të nënvlerësojmë këtë fuqi të paimagjinueshme që ndodhet në trupat tonë! Rusvelt me të drejtë thotë: njerëzit nuk janë rob të fatit të tyre por janë rob të mendjes së tyre! Fitoni lirinë!

Fitoni Trurin Social! Angazhohuni të gjithë, kjo është jetike për të gjithë ju!

Loading...