Tarifa në “Rrugën e Kombit”, Rama: Për banorët do të ketë një sistem të posaçëm

Shpërndaje

Kryeministri Edi Rama ka sqaruar detajet në kontratën me kompaninë koncesionare për mirëmbajtjen e Rrugës së Kombit. Në një bashkëbisedim me gazetarët, kreu i Qeverisë tha se tarifa 5 euro është vendosur si referencë për qytetarët nga Kosova, ndërsa qytetarët shqiptarë do të paguajnë me lekë. Ai tha se për përdoruesit e rregullt të rrugës do të ketë abone. “Në kontratë është parashikuar dhe duhet të artikulohet brenda 6 muajsh për përdoruesit e rregullt, ata që banojnë në atë zonë, të tjerët janë përdorues të rrallë të rrugës. Për banorët do të ketë një sistem të posaçëm që do t’u shërbejë të gjithë atyre që janë përdorues të rregullt të rrugës, që do të thotë që do të marrin abone, që vetvetiu reduktojnë çmimin”, tha kryeministri Rama. Sakaq, ai ripërsëriti deklaratën e një ditë më parë sa i takon protestës së dhunshme në Rrugën e Kombit, që sipas tij ishte nxitur nga Tirana.Ndonëse nuk përmendi emra specifike, kreu i Qeverisë nuk nguroi të përmendë emrin e ish-kryeministrit Berisha sa i takon qëndrimit për tarifën në Rrugën e Kombit.

“Sa i takon pyetjes kush janë nxitësit, ata i dinë të gjithë. Deri më tani kompani ka bërë 15.2 mln euro investime mbrojtëse. Ju keni transmetuar lajmet për rrëshqitje masive dheu. Kanë ndodhur tre rrëshqitje të mëdha kur ka hyrë në fuqi marrëveshja, dhe kompania ka filluar punën. Janë bërë investime të menjëhershme për rikuperimin e situatës. Janë bërë investime për tunelin, vetëm mirëmbajtja e tij shkon mbi gjysmë milioni euro në vit. Për herë të parë në historinë e kësaj rruge nuk ka patur asnjë minutë bllokim nga dëbora, dhe as aksident nga dëbora, pasi kompania ka blerë 20 borëpastruese të cilat garantuan kalueshmërinë e rrugës kur ka patur dëborë. Nëse nuk do të vendosim kështu, për pagesën do të ishim më të qetë, por do të nxisnim rrënimin e mëtejshëm të rrugës, dhe ajo do të dilte nga kushtet e sigurisë, dhe do të bëhej e papërdorshme.

Ju kujtoj se paraardhësi im e ka thënë botërisht, ne e ndërtuam, por nuk mund ta mirëmbajmë dot. Dhe ka thënë të vërtetën, si rrallëherë. Tashmë janë bërë të gjitha studimet për tarifën, dhe pas kësaj procesi ka hyrë në garë dhe ka rezultuar i suksesshëm,. Dhe kompania e zgjedhur ka treguar seriozitet të plotë në zbatimin e kontratës me shtetin. Nëse kur je në karrige thua “e ndërtuam po e se mirëmbajmë dot”, dhe kur je në opozitë thua “ta djegim, se kjo është taksë hajdutërie”, këtu jemi në një zonë tjetër atë të “dizinformimit, të nxitjes së qëllimshëm të njerëzve, dhe zjarr nxitjes” përmes individësh të mbledhur me dorë për të bërë atë që bënë”, tha kryeministri Rama.

Loading...