Rajoni

Tensione para vendimit të gjykatës për të ndaluarit në Kukës

Shpërndaje

Seanca për caktimin e masës së sigurisë në Gjykatën e Shkallës së Parë në Tiranë për 23 personat e ndaluar në Kukës që dyshohen se janë të përfshirë në përplasjet me forcat e policisë në protestën e mbajtur kundër tarifave në “Rrugën e Kombit”, ka filluar me tensione brenda sallës dhe jashtë ambienteve të gjykatës, raporton Anadolu Agency (AA).

Deputetët e opozitës në Kuvendin e Shqipërisë, konkretisht deputetë të Partisë Demokratike (PD) dhe Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim(LSI) janë përplasur me forcat e policisë, pas kërkesës së tyre për të ndjekur seancën gjyqësore që vazhdon pa praninë e mediave.

Edhe sot familjarë të personave të ndalur, si dhe qytetarë që mbështesin të ndaluarit dhe që kundërshtojnë tarifat për kalimin e automjeteve në “Rrugën e Kombit” kanë protestuar para ambienteve të Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, duke kërkuar lirimin e tyre.

Gjykata do të marrë vendim për masat e sigurisë për 23 personat e ndaluar të cilët akuzohen për veprat penale “Shkatërrimi i pronës”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Kundërshtim i punonjësit të rendit publik”.

Të ndaluarit në Kukës janë transferuar në Tiranë për shkak të mungesës së kapaciteteve në Gjykatën e Kukësit.

Kujtojmë se për tre ditë me radhë u protestua para Drejtorisë së Policisë Tiranë, pasi disa nga të ndaluarit u mbajtën në ambientet e këtij institucioni.

Ndërkohë për të shmangur incidentet dhe përplasjet janë angazhuar dhjetëra forca policore në ambientet pranë gjykatës, ndërsa protestuesit në disa momente kanë bllokuar edhe qarkullimin e automjeteve.

Policia e Kukësit ka ndaluar 23 persona, të cilat dyshohet se janë të përfshirë në përplasjet me forcat e policisë në protestën e mbajtur pranë Tunelit të Kalimashit disa ditë më parë kundër tarifave në “Rrugën e Kombit”, ku mbetën të plagosur 13 policë dhe disa qytetarë.

Loading...