VMRO-DPMNE: Fillimisht interpelanca për Qeverinë, më pas Ligjet reformuese

Shpërndaje

Vetëm iniciativa për çështjen e besimit të Qeverisë, e vendosur si pikë e parë e rendit të ditës, mund të kthejë VMRO-DPMNE-në në Kuvend. Vetëm pas kalimit të kësaj pike, nga partia e Hristijan Mickoskit thonë se mund të vazhdohet me miratimin e propozim – ligjeve reformuese. Andaj, deputetët e opozitës maqedonase, munguan përsëri në punën e ligjvënësit.

Në përgatitje e sipër është dokumenti me të cilin do t’u drejtohemi deputetëve për të kërkuar të votojnë për jobesueshmërinë e Qeverisë. Besoj se ky dokument do të përgatitet së shpejti dhe do të dorëzohet deri te shërbimet e Kuvendit. Tashmë është sjellë vendimi për t’u kthyer dhe VMRO-PDMNE-ja me këtë pikë, si pikë e parë e rendit të ditës, do të kthehet në ulëset e Kuvendit – tha Dragan Danev, deputet i VMRO-DPMNE-së.

Akoma është e paqartë nëse opozita do ta dorëzojë nismën e paralajmëruar para ose pas festës së Pashkëve. Megjithatë për caktimin e seancës për këtë pikë, Rregullorja përcakton saktë afatet.

Për ngritjen e çështjes së besimit të Qeverisë, kryetari i Kuvendit menjëherë cakton seancë. Seanca mbahet ditën e tretë nga dita e ngritjes së çështjes për besimin e Qeverisë. Afati fillon të rrjedhë të nesërmen nga dita e dorëzimit të nismës – thuhet në Rregulloren për punën e Kuvendit, Neni 215.

Nga VMRO-DPMNE-ja shprehen të gatshëm të punojnë edhe në vigjilje të festës, në rast se nisma dorëzohet nesër dhe seanca caktohet në fundjavë. Përskaj asaj që ndodh me këtë parti dhe punën në Kuvend, së fundmi, brenda VMRO-DPMNE-së edhe publikisht është aktivizuar një fraksion tjetër i udhëhequr nga Filip Petrovski, ish drejtor i Arkivit Shtetëror, i cili kundërshton kreun aktual Hristijan Mickoski. Në vend që të votojnë mos-besimin e Qeverisë, ai ftoi deputetët e VMRO-së të dorëzojnë dorëheqje kolektive. Gjatë paraqitjes paraprake, Petrovski deklaroi se së shpejti do të mbështetet publikisht edhe nga disa deputetë të kësaj partie, por kjo nuk ka ndodhur./Alsat-M

Loading...