Zaev: Ka mbetur vetëm emër konkret dhe mënyra e përdorimit (Video)

Shpërndaje

Mbetet të arrihet zgjidhje vetëm rreth emrit konkret dhe vëllimit të përdorimit në plan ndërkombëtar, për të shpallur marrëveshjen e plotë me Greqinë për çështjen e emrit. Kështu njoftoi sot kryeministri Zoran Zaev në takimin me gazetarë. Zaev tha se po bisedohet për emër me përcaktues gjeografik, ndërsa rreth përdorimit ka mosmarrëveshje me Greqinë rreth asaj se çfarë nënkupton “erga omnes”. Pala greke kërkon që emri i ri të vlejë edhe për përdorim të brendshëm dhe të ndryshohet Kushtetuta, ndërsa Qeveria e Maqedonisë insiston që të vazhdojë të përdorë emrin aktual brenda vendit.

Zoran Zaev, kryeministër
“Përdorimi i brendshëm nuk ka kurrfarë ndikimi ndaj Greqisë. Nuk ka kurrfarë reflektime ndaj Greqisë. Jemi duke bindur me kreativitet, me argumente dhe vazhdojmë me bisedimet. Kjo është çështja që nuk është zgjidhur dhe është çështje e rëndë dhe e komplikuar”

Gjatë bisedës me gazetarë, Zaev përmendi disa shembuj si zgjidhje të mundshme për emrin. Maqedonia e Veriut, Maqedonia e Vardarit, Maqedonia e Epërme, dhe Republika e Maqedonisë (Shkupi), ishin formulimet që në kontekste të ndryshme u përmendën nga kryeministri. Por, ai nuk dha përgjigje nëse do të pranonte emër vetëm në gjuhën maqedonase dhe pa përkthim në gjuhë të tjera.

Zoran Zaev, kryeministër
“A është ende në lojë emri i papërkthyer, nuk do të jepja përgjigje. Mendoj se do të ndikojë në bisedimet nëse përgjigjem”.

Në rast se arrihet zgjidhje, Zaev paralajmëroi se bashkërisht me partitë e tjera do të organizojnë referendum për emrin e ri, edhe pse BDI është kundër organizimit të referendumit. Sidoqoftë, Qeveria është optimiste se zgjidhja do të arrihet para mbledhjes së Këshillit të BE-së dhe Samitit të NATO-s këtë verë./SHENJA/

Loading...