Zaev- Tusk: Maqedonia po i afrohet Europës (Video)
Kryetari i Këshillit të Europës Donald Tusk, në vizitën e djeshme në Shkup ka inkurajuar politikën e shtetit drejt reformave për perspektivën euroatlantike. Ai në takimin me kryeministrin e Maqedonisë Zoran Zaev tha se ndjehet i lumtur që po sheh ndryshim të madh nga takimi i tij i mëhershëm që ishte këtu, raporton gazeta Lajm.
“Shumë gjëra kanë ndryshuar nga viti i kaluar. Ndryshim në mentalitetin politik. Shohë afrim me Europën. Shohë një lidership të guximshëm drejt ardhmërisë. Samiti jonë me vendet e Ballkanit Perëndimor duhet ta rritë perspektivën tonë në marrëdhëniet me Ballkanin. Të gjithë së bashku duhet të përballemi me sfidat e sigurisë, tregtinë me imigrantët dhe krimin. Këtu dua ta them atë që e thash kudo që isha: BE do të jetë partneri më i besueshëm në rajon. BE do të ju ndihmojë në realizimin e reformave”, tha mes tjerash Tusk.
“Biseduam edhe për bashkëpunimin rajonal dhe fqinjësinë e mirë. E keni përkrahjen time maksimale”, përfundoi diplomati Tusk.
Kryeministri Zaev në konferencën për media shprehu falënderim ndaj institucioneve ndërkombëtare që po i njohin përpjekjet dhe po japin përkrahje për reformat e vendit.
“Rekomandimin e shohim si përgjegjësi. Dolëm nga kriza e thellë dhe nga shteti i robëruar dhe u kthyem në rrugën ku hapërojnë shtetet europiane. Me kohë reformat do të shihen më shumë, e bindëm KE-në, tani do t’i bindim edhe shtetet anëtare të BE se e meritojmë fillimin e bisedimeve. Punuam shumë edhe në përmirësimin e raporteve me fqinjët. Presim që zgjidhja e emrit të hap rrugë euroatlantike. Samiti i BE-së më 17 maj në Sofje të Bullgarisë, është shpresë dhe mbështetje për Ballkanin perëndimor. Presim që aty të vërtetohet perspektiva për anëtarësim të shteteve nga Ballkani Perëndimor. Perspektiva euroatlantike e Maqedonisë dhe rajonit në përgjithësi sjell edhe kualitet në jetën e qytetarëve tonë”, pohoi kryeministri Zaev.