3 vite nga luftimet në mes të qytetit të Kumanovës (Video)

Shpërndaje

Luftimeve në mes të qytetit të Kumanovës i kishte paraprirë sulmi ndaj stacionit të policisë në malësinë e Likovës mbi fshatin Goshincë. Nga aty ishte marrë armatimi, ndërsa policët ishin larguar me dhunë. Përgjegjësinë për sulmin e kishte marr një formacion që veten e quante UÇK-ja. Shërbimet vendore bën të ditur se komunikata ishte publikuar nga Zvicra. Skenarin Kumanova e kishte paralajmëruar një muaj më herët ish gjenerali i policisë Stojaçe Angellov i cili pretendonte se për realizimin e tij janë dhënë 2 milion euro.

Kam informacione se i janë dhënë 2 milion euro disa shqiptarëve të cilët nuk kanë lidhje me UÇK -në, janë kriminel të cilët sot gjenden në rajonin e Likovës – pati deklaruar Stojançe Angellov, Ish gjeneral i policisë, në 4 prill të 2015-tës.

Për rrezikun në fjalë ishte paralajmëruar më herët edhe vetë kreu i BDI-së Ali Ahmeti. I njëjti kishte urdhëruar nënkryetarin e BDI-së Sadulla Duraku të takohet me figura të cilët sot akuzohen për rastin Kumanova. Madje burime në rrethana anonime shpjegojnë se edhe aksidenti i Ahmetit në vitin 2015 në një pikë pagesore, kishte si motiv atentatin ndaj tij në pikën malore Strazhë nga personat pjesëmarrës në luftimet e Kumanovës, por kjo gjë nuk u konfirmua ose demantua asnjëherë nga kreu i integristëve. Më datën 1 maj 2015 grupi nga Kosova ishin futur në Maqedoni. 2 maj 2015 kur në Sllupçan po festohej përvjetori i Zonës së lirë, grupi ishte i fshehur pak metra nga memoriali i dëshmorëve. Më pas ishin vendosur nëpër fshatrat e Likovës ndërsa vetë të akuzuarit në seanca gjyqësore kanë shpjeguar më pas se në Kumanovë përveç me automjete tjera janë transportuar edhe me autoambulanca. Pjesëtar të caktuar të grupit kishin tentuar rekrutimin e personave edhe në fshatin Çerkez të Kumanovës natën e 8 majit. Një javë më vonë, konkretisht më 9 maj në Lagje të Trimave në Kumanovë filluan luftimet mes grupit të armatosur dhe policisë. Familjet u evakuuan, por pasojat ishin të tmerrshme, të vrarë dhe të plagosur nga të dyja palët dhe thuajse një lagje e tërë e djegur.

Luftimet zgjatën për dy ditë më radhë, më 9 dhe 10 maj 2015 ku humbën jetën 8 policë dhe 10 anëtarë të grupit të armatosur. Pas tërheqjes së trupave, lindën dyshime se dy protagonistët e rastit Beg Rizaj dhe Mirsad Ndrecaj janë ekzekutuar pas arrestimit. Kjo u dëshmua në tre raste: fillimisht Ministria e Jashtme e Maqedonisë në listën e personave nga Kosova të arrestuar në Maqedoni i kishte futur edhe dy të lartpërmendurit, më pas mjekësia ligjore në Kosovë vërtetoi se Rizaj e Ndrecaj janë ekzekutuar pas arrestimit ndërsa në fund këtë e thanë edhe dëshmitarët e mbrojtur, respektivisht një polic i cili në seancë dëshmoi se Begun e ka arrestuar të gjallë.

Se ekzistojnë dyshime për inskenimin e rastit nga shërbimet vendase dhe jo vetëm, kjo u vërtetua edhe përmes një telefonate që e publikuan mediat në Kosovë në të cilën një agjent i Agjencisë së Inteligjencës me inicialet SH.M bisedon në telefon më Rizajn e Ndrecajn. Temë diskutimi ishte kumtesa përmes së cilës UÇK-ja merrte sulmin përsipër dhe marrëveshja për t’u takuar më pas në Prishtinë. Dyshimet shtohen edhe më tepër nga fakti se në seanca gjyqësore të akuzuarit kanë shpalosur disa emra të agjentëve të DSK-së, njëri prej tyre tashmë i ndjerë. Gjitha këto rrethana çojnë drejtë dyshimeve se organet e rendit ishin në dijeni për gjithçka, por që ndërhyrja e faktorit ndërkombëtarë në fund kufizoi perimetrin e zgjerimit të skenarit në Kumanovë dhe jo vetëm. Dyshimet për përfshirje të shërbimeve sekrete rriten edhe më shumë nga fakti se grupi i armatosur kishte përdorur mbi 20 lloje të armeve, të cilat sipas policisë ishin prodhim i shteteve të ndryshme nga rajoni dhe më gjerë./Alsat-M

Loading...