Al Jazeera: Myslimanët nga Maqedonia, Kosova dhe Shqipëria për shkuarje në Haxh duhet të ndajnë rreth dhjetë paga

Shpërndaje

Besimtarët myslimanë nga vendet e ish-Jugosllavisë duhet të ndajnë rreth dhjetë paga mujore për të shkuar në Haxh në Arabinë Saudite.

Besimtarët nga Kosova duhet të ndajnë 10,2 paga mesatare, derisa besimtarëve nga Maqedonia, Shqipëria dhe Bosnja e Hercegovina për në Haxh u nevojiten më shumë se nëntë paga mujore.

Për shkuarje në Haxh nga Serbia nevojiten rreth tetë paga mesatare, ndërsa nga Bullgaria dhe Turqia shtatë, kumtoi Al Xhezira-Ballkan.

Nga ana tjetër, besimtarëve nga Gjermania, Danimarka, Austria dhe Zvicra u mjafton një pagë mesatare për shlyerje të shpenzimeve për udhëtimin për në Haxh në Mekë.

Nga Maqedonia në Haxh mund të udhëtohet me aranzhman të ndonjë agjencie private, pakoja themelore e së cilës kushton 3.700 euro, ndërsa e plotë 4.200. Al Xhezira citon se Bashkësia Islame e Maqedonisë ende nuk ka formuar çmim për udhëtimin e tillë.

Çmimi i shkuarjes për në Haxh ka të bëjë me shpenzimet e transportit me aeroplan, akomodimin në hotel, ushqim dhe taksa. Për shkak të luftës në Siri, besimtarët e rajonit në Haxh shkojnë vetëm me aeroplan.

Bashkësia Islame e BeH-së e konfirmoi çmimin për ata të cilët duan ta plotësojnë detyrën fetare dhe ai arrin 4.167 euro për person. Nga Meshihati i Bashkësisë islame të Serbisë me seli në Novi Pazar citojnë se këtë vit Haxhi është më i shtrenjtë për 200 euro dhe arrin 4.000 euro për person.

Ata të cilët do të udhëtojnë në organizim të Bashkësisë islame me seli në Beograd, duhet të ndajnë nga 3.600 euro.

Çmimi për në Haxh është rritur këtë vit për disa qindra euro edhe në vendet e tjera të rajonit, derisa në Mal të Zi ende nuk është formuar çmimi. Besimtarët e Sllovenisë vitin e kaluar kanë paguar nga 3.900 euro, ndërsa këtë vit do të duhet të ndajnë nga 4.400 euro.

Shkuarje më të lirë për në Haxh paguajnë banorët e Bullgarisë, Kosovës dhe Shqipërisë.

Çmimi për në Haxh është rritur edhe në vendet tjera evropiane, ndërsa agjenci të veçanta ende nuk kanë formuar çmim duke marrë parasysh atë se “Arabia Saudite gjithmonë vendos taksa shtesë të cilat duhet të paguhen”.

Loading...