Babai e ka mbajtur të lidhur me litar për 4 vite, historia prekëse e Amrit nga Kavaja

Shpërndaje

Amri Popoi është 12 vjeç por është në klasën e dytë sepse për 4 vite rresht ai, i vëllai dhe e ëma janë mbajtur të lidhur nga i ati me probleme mendore dhe i dhunshëm.

Mësuesja e Amrit tregoi historinë prekëse të 12-vjeçarit për emisionin “Stop”. “Unë në klasën time kam 24 nxënës, të gjithë janë të mrekullueshëm, por kam një nxënës që është i veçantë nga të tjerët sepse ka një histori të tmerrshme familjare”

“Rasti i fundit me babin e Amrit ishte që kishte marrë sëpatën dhe kishte kërcënuar jo vetëm fëmijët, por edhe gjyshin dhe njerëzit e tjerë që kishin shkuar nga bashkia për të ndihmuar këtë fëmijë”, tregoi mësuesja Klorida Teferiçi.

Ajo tregon se pavarësisht dhunës fizike e psikologjike, Amri është i pari i klasës. Mësuesja tregoi se për mjetet shkollore dhe veshmbathjet, 12-vjeçarin e kanë ndihmuar prindërit e nxënësve të klasës.

“Ai është kaq i qetë e i urtë. Nuk është absolutisht agresiv, është gjithmonë drejt paqes. Ai është një nga nxënësit më të shkëlqyer të klasës sime, një fëmijë me vullnet të paparë dhe shumë sistematik, që nuk bën asnjëherë mungesa. Është një fëmijë i mrekullueshëm”, u shpreh mësuese Klorida.

“Dua të bëhem polic sepse dua të vendos rregullin dhe të ndihmoj të gjithë njerëzit që janë në nevojë”, u përgjigj Amri kur gazetarja e pyeti çfarë dëshiron të bëhet kur të rritet.

Ajo së bashku me gazetaren e “Stop” shkuan në shtëpinë e Amrit ku kushtet për jetesë janë të mjerueshme.

“Kemi një tezgë në rrugë që shesim dhe me ndihmë ekonomike prej 48 mijë lekësh paguajmë vetëm bukën. Bukë me djathë dhe vaj i përgatis çunave. Kaq kam unë si nënë që i ushqej”, tha e ëma e Amrit.

Emisioni “Stop” dhe “Fundjavë ndryshe” i dhuruan familjes së Amrit ushqime për dy muaj dhe mjete shkollore.

Loading...