Basha: Rilindja, projekt antikombëtar. E vetmja rrugë, largimi i kësaj qeverie

Shpërndaje

Kryetari i opozitës Lulzim Basha deklaroi sot para mijëra protestuesve se e vetmja rrugë është largimi i kësaj qeverie. Basha tha se shpresën që nuk e vrau dot komunizmi e vrau Rilindja. Sipas tij Rilindja është një projekt antikombëtar e kriminal që plaçkiti atdheun.

“Kohë më parë këtij populli iu premtua drejtësi. Sot shqiptarët po largohen nga vendi i tyre, me mijëra në vit, qindra mijëra të tjerë ëndërrojnë të ikin. Sot shqiptarët po dynden drejt botës sepse kanë frikë të jetojnë në vendin e tyre sepse nuk besojnë më se në Shqipëri do ketë liri dhe demokraci perëndimore. Shpresën që nuk e vrau dot komunizmi e vrau Rillindja. Rilindja është një projekt antikombëtar në funksion të egos për pushtet.
Rilindja nuk degradoi rrugës por ishte që në ngjizje një projekt kriminal për pasurimin e një grupi individësh. Që ditën e parë Rilindja e plaçkiti atdheun e vandalizoi demokracinë. Pas 5 vitesh Rilindja ka instaluar një pushtet kriminal dhe politik”, deklaroi Basha.

Kreu i PD-së tha se pushteti nuk buron nga vota por nga paraja, jo nga vullneti i njerëzve të lirë por nga dhuna. “Pushteti i sotëm nuk është më pushteti i njerëzve por pushteti i një pakice të zhytur që zhytet përditë e më shumë në krim. Një pakicë që zhvat çdo ditë e më shumë paratë e shqiptarëve.
Sot ka vetëm një rrugë, largimi i kësaj qeverie nga njerëzit, nga populli i bashkuar. Sot nuk kërkojmë thjesht ndryshimin e qeverisë por ndarjen e politikës nga krimi, nga e keqja. Pushtetin e bën të mirë vetëm frika nga populli. Të përparuara janë vendet ku qeveria e ka frikë popullin, të mjera janë vendet ku populli e ka frikë qeverinë”, deklaroi Basha.

Ai tha se nuk kërkon pushtet për veten por për të dhënë dhe marrë kurajë.
“Nuk jam këtu për të kërkuar pushtet për vete, nuk jam për të zaptuar, për të qenë mbi ju. Jam këtu për të marrë kurajë dhe për të dhënë kurajë. Për të qenë një nga ju, për të qenë bashkë me ju. Çfarë na pret përpara nuk më sfida e një njeriu, udhëtimi i një njeriu është udhëtimi i të gjithë shqiptarëve. Dielli i shqiptarëve lind në Perëndim. Kjo është një valë që po ngrihet, e po ngrihet”, theksoi Basha./TELEGRAF.AL

Loading...