Besa e Kasamit e pakënaqur me bisedimet, i kërkon kryeministrit të publikojë ofertën

Shpërndaje

Kur u mendua se bisedimet mes partive opozitare shqiptare dhe kryeministrit, Zoran Zaev, po shkojnë drejtë definimit, BESA e Bilall Kasamit si duket ka mbetur jashtë lojës për kyçje në Qeveri. Ata kërkojnë nga kryeministri që të bëjë të qartë ofertën për partinë e tyre, në të kundërtën mund të ndodhë që e njëjta të largohet nga bisedimet.
 
Ndërsa PDSh dhe BESA e Gashit, edhe pse zyrtarisht nuk japin hollësi, burime partiake thonë se të njëjtat e kanë mbaruar ndarjen e “kulaçit” qeveritar, duke u takuar pjesë nga eshaloni i parë dhe i dytë, ndërsa pika e diskutueshme mbetet çështja e drejtorive. Burimet qeveritare thonë se partia e Gashit pritet të drejtojë Ministrinë e Kulturës, kurse ajo e Thaçit do të marrë postin e zëvendëskryeministrit për investime të huaja. Ndërsa të dyja këto parti priten të drejtojnë edhe nga një zëvendësministër dhe nga dhjetëra drejtori.
 
Për analistin politik, Blerim Hyseni, oferta e kryeministrit Zaev ishte shumë e qartë, partive shqiptare në opozitë nuk u kanë mbetur shumë opsion përpos asaj të vendosin të marrin apo ta lënë atë e cila u është ofruar. 
 
“Kryeministrit Zaev ofertën ua bëri partive opozitare shqiptare, ai në deklaratën e djeshme ua bëri me dije se oferta është: lere apo merre. Partive shqiptare nuk u ka mbetur tjetër mekanizëm përpos të pranojnë ose të refuzojnë. Partitë shqiptare vlerësojnë se në këtë mënyrë do ta rrisin rejtingun në elektorat, duke e zvarritur procesin e, gjoja, bisedimeve. Ndërsa politikat afatgjate të Qeverisë janë definuar që në ekspozenë apo formimin e votëbesimit të Qeverisë së re”,- tha analisti, Blerim Hyseni.                                                                                                                                                                                     
Kurse analisti tjetër, Selim Ibrahimi, është i mendimit se këto parti do t’i shërbejnë qeverisë së Zaevit vetëm për t’i rritur numrat, por jo se do të kenë ndonjë ndikim në politikat e jashtme apo të brendshme të Qeverisë.
 
“Mendoj se kjo është një lojë e stërzgjatur e kryeministrit Zaev me partitë politike opozitare shqiptare, në ndërkohë këto parti nuk do të kenë ndonjë ndikim të madh në politikat e jashtme, apo të brendshme të kryeministrit Zaev, por do të kenë vetëm ndikim anësor dhe do t’u shërbejë partive të mëdha qeveritare, pra asaj të LSDM-së dhe BDI-së. Dhe i vetmi fakt që ndërlidhet me dëshirën e këtyre partive politike që të hynë në Qeverinë e Zoran Zaevit është krijimi i një shumice më të gjerë parlamentare, por kjo nuk sjell asgjë të re në politikën e brendshme të Qeverisë”,- u shpreh analisti, Selim Ibraimi.
 
Sipas njohësve të mirë të politikave, këto bisedime priten të finalizohen shumë shpejt dhe se kjo çështje mund të zvarritet vetëm nga dëshira e LSDM-së për tua ulur çmimin edhe më shumë këtyre partive, me kusht që të jenë pjesë e Qeverisë. RTVM

Loading...