Deputeti i BDI-së Alimi dhe Ismet Guri sot sërish në gjykatë për rastin “Titanik3”
Seanca e radhës për lëndën e PSP-s “Titanik 3” është caktuar sot në Gjykatën Penale. Seanca paraprake e kësaj lënde u anulua për shkak të angazhimeve personale të gjykatëses Gordana Spirova.
Rasti “Titanik 3” ka të bëjë me manipulimet zgjedhore. Deputeti Ejup Alimi dhe Ismet Guri, që ka qenë anëtar i Komisionit komunal zgjedhor në zgjedhjet e vitit 2013 në Komunën e Çairit akuzohen për shkatërrim të materialit zgjedhor. Kjo është lënda e parë e ekipit të Janevës ku gjykohen funksionarët e BDI-së. PSP për to ka kërkuar edhe paraburgim, por ato janë ankuar te Gjykata e Apelit, ku në vend të masës së paraburgimit, gjykata ua mori pasaportat.
Prokurorja, Fatime Fetai në seancë publike në Gjykatën e Apelit deklaroi se dëshmitarët e Prokurorisë Publike kanë frikë nga deputeti i BDI-së, Ejup Alimi. Ata kanë thënë se Alimi është njeri i fortë dhe është pjesë e BDI-së që është në pushtet. Alimi ka thënë se edhe nëse e burgosin në vend të huaj do të ikë dhe do të kthehet në Maqedoni dhe do të jetë i pranishëm në procedurën që zhvillohet kundër tij.
Ismet Guri është falur nga presidenti, Gjorgje Ivanov pikërisht për këtë rast. Ejup Alimi është koordinator i grupit parlamentar të BDI-së në Kuvend.