Ekspertët: Anëtarësimi në BE nuk është i lehtë
Maqedonia duhet të marrë datë për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE që të mund të vazhdojë me zbatimin e reformave, vlerëson Fani Karanfillova nga Fondacioni Shoqëri e Hapur- Maqedoni. Por ajo më tej shton se edhe sikur vendi të marrë datë tani, nuk mund të anëtarësohemi pa kaluar gjatë vite negociata.
Mendoj se është joreale të pritet që para 6 vitesh të ketë mundësi që Maqedonia të bëhet anëtare e përhershme e Unionit, por në rast se gjatë atyre 6 viteve me të vërtetë e shfrytëzojmë kohën për reformimin e shoqërisë sonë dhe transformimin e shoqërisë që të jemi të barabarta me shtetet tjera anëtare kjo nuk është shumë gjatë, por është periudhë reale që të ndryshohet diçka në Maqedoni – deklaroi Fani Karanfillova-Panovska, Fondacioni Shoqëri e Hapur Maqedoni.
Zhordi Baker-it nga Iniciativa për shoqëri të hapur, thotë se BE-ja nuk do të zgjidh problemet që vetë vendet nuk i kanë zgjidhur, por se gjithsesi është sistemi i vlerave që i bën njerëzit pjesë të vendimmarrjes.
Është e rëndësishme sepse Maqedonia ose Bosnja ose Kosova e dinë tashmë një kohë të gjatë se nuk i takojnë vetvetes. Nuk jeni vend që mund të vendosni vetë çfarë të bëni me fuqitë në botë. Jo që Franca e Gjermania janë në gjendje të tillë. E rëndësishme është sepse ju jeni të varur nga njëri-tjetri, se jeni të zënë në këtë rrjet global, patjetër të keni vend në tavolinë dhe të merrni pjesë në sjelljen e vendimeve – tha Zhordi Baker, Iniciativa evropiane për shoqëri të hapur .
Llukash Hollub nga delegacioni i BE-së theksoi se Ballkani Perëndimor gjithnjë ka qenë në hartën e Evropës dhe se tani është momenti që ky rajon të bëhet pjesë edhe e BE-së.
Cili do të jetë kontributi juaj në BE kur do të bëheni anëtare? Kjo temë është shumë e rëndësishme për vetë qytetarët evropianë dhe shumë prej tyre me gjasë do të votojnë në referendum në vendet e tyre se a duhet që vendi juaj të bëhet anëtar ose jo. Ju duhet t’iu tregoni se çfarë do të ju ofroni. Njëkohësisht aspekti tjetër që duhet ta mendoni është se cilat janë përfitimet tuaja – u shpreh Llukash Hollub, Delegacioni i BE-së në Shkup.
Në konferencën “Pse Evropa, Pse tani?” mes tjerash u theksua edhe roli i shoqërisë civile jo vetëm gjatë ekspertizave e analizave, por që duke qenë kritike të kontrollojë Qeverinë, Parlamentin dhe institucionet tjera shtetërore./Alsat-M