Kjo është “Teuta”, nusja e Tetovës e stolisur me bërllog (Video)

Shpërndaje

Në vend se në restorant, sot në Tetovë dasma për martesën e “çiftit të ri të mbeturinave”, u bë në sheshin e qytetit, ndërsa mysafirët e ardhur në dasmë, kësaj radhe anëtarë të organizatave joqeveritare, në vend të zarfit për dhuratë çiftit të ri i sollën thasë me mbeturina të mbledhura gjatë paradites nëpër qytet. Nuk mungoi as qerasja e tupanëve dhe lodrave, por jo me para, por me maska për pastrim të aromës së keqe që vinte nga mbeturinat.

“Në këtë mënyrë, siç e shihni sot ka ardhur nusja me dhëndrin në qytetin e Tetovës me një fustan të bardhë të bërë nga mbeturinat që janë mbledhur në qytet.

Si ndjeheni si nuse në këtë fustan?

“Shumë bukur ndjehem është moment i bukur i jetës, edhe pse i gjetëm tek mbeturinat megjithatë bëmë diçka të bukur”.

“Është shumë e rehatshme dhe shumë e bukur veshja”.

Në këtë dasëm kishte ardhur edhe Azizi, anëtar i Organizatës Loja, i cili kishte punuar gjatë gjithë mëngjesit, për të siguruar jo zarfin për dasëm por thesin me mbeturina.

“Kjo është dhurata më e mirë për një dasëm këtu në Tetovë. Është dasma më e mirë tetovare deri më tani. Është aksion simbolik ku nusen e marrim të mbuluar me mbeturina por edhe dhuratat ia bëjmë mbeturinat për të treguar gjendjen katastrofave me mbeturinat dhe dhe papastërtinë në Tetovë.

“Porosia e kësaj dasme është ta mbajmë pastër ambientin ku jetojmë, mos ta bëjmë bërllog”, u shpreh Liver Emini, Kumanovë.

“Kjo ngjarje është organizuar vetëm me një qëllim – ngritje të vetëdijes së qytetarëve për mbrojtjen e ambientit. Siç e vërejtët për më pak së një orë nga një qese mbetje mblodhëm, mund ta paramendoni sa ka mbeturina qyteti”, deklalroi Elmedina Abdullahu, Nena dhe Fëmija.

Në këtë dasmë, mysafir ishte edhe drejtori i Ndërmarrjes Publike Komunale, Xhelal Ceka, i cili ka përshëndetur këtë aktivitet edhe pse kritikat iu drejtoheshin këtij institucioni për mos përmbushjen siç duhet të punës.

“Absolutisht nuk është reagim ky, ne e përshëndesim aksionin e sektorit civil që ka të bëj me ngritje të vetëdijes me sa arrita të kuptoj dhe shpresoj që të mos jetë vetëm një ditë në vit, sepse ndërmarrja punon 365 ditë dhe jo vetëm një ditë”, deklaroi Xhelal Ceka.Drejtor i NPK Tetova.

Pas përfundimit të protestës në formë të dasmës së mbeturinave në Tetovë, nga ndërmarrja publike komunale, u pastruan edhe dhuratat e mbledhura në to, thasët me mbeturina.

“I kërkoj ndjesë nuses TEUTA (dhe dhëndërrit) që nuk arrita në kohë në dasmën e tyre. Po pastroja bërllogun në rrugën Vëllezërit Miladinov bashkë me aktivistë të Eco Guerillës, miq dhe fëmijë të lagjes.
#trashwedding”, ka komentuar lidhur me këtë dasëm Arianit Xhaferi nga EcoGuerilla.

Loading...