Kryeprokurori pas gjetjes së trupit të policit: Dyshimi i vetëm, aksident komunikacioni

Shpërndaje

Kryeprokurori i Ferizajt, Shukri Jashari, e ka konfirmuar se trupi i pajetë që u gjet sot në lumin Lepenc është i policit Malsor Dashi, dhe tha se në shikim të parë, dyshimi i vetëm është se ka qenë aksident komunikacioni, njofton Klan Kosova.

Dashi bashkë me kolegun e tij, Armend Trenën, ishin zhdukur në këtë lum pesë ditë më parë.

Ndërsa, Jashari po ashtu njoftoi se do të fillojnë kërkimet edhe për gjetjen e policit të dytë.

“Pas kërkimeve të njësive relevante, është gjetur trupi i pajetë i zyrtarit policor Malsor Dashi”, tha Jashari për mediat.

“Instituti i Mjekësisë Ligjore ka ardhur në vendin e ngjarjes, e ka marrë kufomën dhe e ka dërguar në Prishtinë për obduksion”.

“Janë duke filluar kërkimet edhe për zyrtarin tjetër policor”.

“Nga shikimet e para shihet se ky ka qenë aksident komunikacioni dhe nuk ka dyshime të tjera”, tha ai.

Ai po ashtu bëri të ditur se i ndjeri nuk kishte pësuar dëmtime në pjesën e poshtme të trupit, por kryesisht në kokë.

Loading...