Lidhjet e djalit të Fatmir Limajt në tregun e naftës
Para se të emërohej shef kabineti në Ministrinë e Industrisë dhe Tregtisë (MTI), Durim Limaj ishte i përfshirë direkt në tregun e naftës në Kosovë përmes dy bizneseve. Bëhet fjalë për “Petrol–Oil Balkan” dhe “Mercury” ku Limaj sipas dokumenteve të siguruara nga ORAinfo figuron si person i autorizuar. Kjo ngrit dyshime të bazuara për konflikt interesi meqenëse MTI, ku Limaj tash ka pozitë të lartë, merret me rregullimin e sektorit të naftës.
Durim Limaj, si shef i kabinetit në Ministrisë e Tregtisë dhe Industrisë (MTI), do të merret me një sektor që duket se e njeh mirë. Bëhet fjalë për sektorin e naftës, në të cilin djali i zëvendës-kryeministrit Fatmir Limaj, para se të merrte pozitë në këtë ministri, ishte i përfshirë direkt përmes dy bizneseve.
ORAinfo përmes një hulumtimi dy javor ka gjetur fakte për përfshirjen e Limajt në këtë sektor, para se ai të merrte pozitë të lartë pikërisht në ministrinë që në bazë të ligjit merret me rregullimin e tregut të naftës. Kjo ngrit dyshime të bazuara për mundësinë e konfliktit të interesit.
Sipas dokumenteve të siguruara nga ORAinfo, Limaj kishte ‘hise’ në biznesin e quajtur “Petrol-Oil Balkan” dhe “Mercury”, të dyja biznese që merren me tregti të naftës. Në të dyja figuron emri i Durim Limajt si “person i autorizuar”.
Në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK) thuhet se “Petrol-Oil Balkan” aktivitet kryesor ka tregtinë me naftë, sikurse edhe kompania tjetër “Mercury”.
Të dyja këto biznese, në Agjencinë për Regjistirmin e Bizneseve por edhe në Administratën Tatimore të Kosovës, figurojnë si biznese aktive.
Vetë Limaj nuk ka pranuar t’i sqarojë për ORAinfo lidhjet me këto kompani. ORAinfo e ka pritur për përgjigje për më shumë se dy javë, por nuk ka marrë përgjgje. Ngjashëm sqarime nuk ka dhënë as Bajram Hasani, ministër në MTI, i cili po ashtu vjen nga partia Nisma Socialdemokrate.
Se a mund të kualifikohet ky rast konflikt interesi, nuk është përgjigjur as Agjencia Anti-Korrupsion, përkunder insistimit të gazetës.
Ndërkaq, ORAinfo ka gjetur se “Petrol-Oil Balkan” ku Limaj ishte person i autorizuar deri para emërimit në MTI, ka importuar në Kosovë një lloj të vecantë të naftës, që njihet si Petrol-Koks. Ky lloj i naftës njihet si mbetje nga nafta, përdoret në industri dhe cilësohet si mjaft e dëmshme për shëndetin. Importin më të madh “Petrol-Oil Balkan” e ka pasur përgjatë viteve 2015-2016.
“Kujdesi” i Limajt me ARBK-në
Durim Limaj para se ta merrte detyrën në MTI, ishte treguar i “kujdesshëm” që emrat e tij të hiqen nga këto biznese në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK).
Por ORAinfo ka siguruar dokumentacionin para se emri i Limajt të fshihej nga ARBK, me kërkesë të vetë atij.
Sipas dokumenteve të siguruara nga ORAinfo, në “Petrol-Oil Balkan” emri i Limajt figuron si person i autorizuar, së bashku me dy persona tjerë, Blerim Hoxhën dhe Bekim Bytyqin. Por pas ndryshimeve të bëra në ARBK, mungon vetëm emri i Limajt.
Edhe tek biznesi tjetër “Mercury”, emri i Limajt figuron si person i autorizuar. Edhe këtu, sikurse të “Petrol-Oil-Balkan”, janë emrat e Blerim Hoxhës dhe Bekim Bytyqit.
Limaj nuk ka sqaruar për gazetën as lidhjet aktuale me këto dy biznese, tash kur ka pozitë të lartë në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë.
Në këtë të fundit, Limaj përvec shef kabineti është edhe këshilltar i lartë politik dhe është parë shumë i afërt me ministrin Bajram Hasani.
Ndryshimi i udhëzimit administrativ dhe dyshimet për ndikim në sektor
Me ta marrë pozitën e të parit në MTI, Bajram Hasani, që vjen nga partia Nisma Socialdemokrate, e ndryshoi udhëzimin administrativ për kontrollin e cilësisë së naftës. E kthej kontrollin e cilësisë nga Dogana tek trupat inspektuese.
Por ky veprim i Hasanit është parë më shumë dyshime nga kreu i Shoqatës së Naftetarëve Fadil Berjani.
Ai në një përgjgije për ORAinfo ketë veprim të Hasanit e ka quajtur zyrtarizim të manipulimeve me ketë sektor.
“Rikthimi i trupave inspektuese vetëm zyrtarizon manipulimin e cilësisë, ku vetëm kanë lëshuar certifikata, pa u kontrolluar cilësia. Janë lëshuar mbi 50 mijë certifikata falso”, ka thënë Berjani.
Sipas tij, ky veprim ka të bëjë kryekëput me interesa të dikujt, siç ka thënë ai, në kabinetin e ministrit Hasani.
“Zyrtar të shumtë të MTI-së, përfshirë edhe kabinetin e ministrit, nuk janë të interesuar të vendosin rregulla në këtë sektor, por të përfitojnë nga amullia e krijuar nga vetë ata”.
Ketë vendim ashpër e pati kundërshtuar edhe ish-ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, duke e quajtur si përpjekje të politikës për ta vënë nën kontroll një treg që brenda vitit qarkullon afër 1 miliard euro./ORAinfo/