Mbrojtja pret vendimin e shkruar për “Almirin”, paralajmëron ankesa

Shpërndaje

Gjykata e Themelore e Kumanovës akoma nuk ka shkruar vendimin gjyqësorë për rastin e Almirit. Mbrojtja është në pritje të vendimit i cili ligjërisht duhet të përgatitet brenda afatit 60 ditorë. Pas pranimit të vendimit në formë të shkruar, mbrojta e familjes Aliu do të ankimojë vendimin në apel. Avokati Asmir Alispahiç pret që ndaj vendimit gjyqësorë të ankohet edhe Prokuroria Publike e Kumanovës.

Presim që në kohë sa më të shpejtë ligjore, ta marrim edhe vendimin gjyqësorë në formë të shkuar që më pas ta ankimojmë vendimin në Gjykatën e Apelit në Shkup. Presim nga Prokuroria Publike e Kumanovës të ankohet për masën e dënimit ndaj të akuzuarit Boban Iliq. Konsiderojmë se Gjykata e Kumanovës në caktimin e dënimit ndaj Boban Iliq nuk i ka marr parasysh të gjitha rrethanat për të cilat është ndjekur penalisht – tha Asmir Alispahiç, Avokat i familjes Aliu.

Derisa mbrojta pret vendimin gjyqësorë, në Kuvend ka ngecur Komisioni anketues për këtë rast. Kryetari i Komisionit për liritë dhe të drejtat e njeriut, Fadil Zendeli thotë se për një iniciativë të tillë nuk është njoftuar zyrtarisht. Zendeli madje dyshon në iniciativën e paralajmëruar të BDI-së.

Nëse ka iniciativa të tilla, padyshim se një mbledhje të tillë të Komisionit do ta thirri, por vlerësoj se nuk do të kishte rezultate të duhura dhe unë nuk dua të jem pjesë e manipulimit dhe gënjeshtrave ndaj familjarëve dhe të tjerëve se gjoja neve jemi duke bërë diçka shumë të madhe dhe se problemi i tyre do të zgjidhet. Ato që e kanë marrë përgjegjësinë, duhet t’i dalin zot asaj pune. Nëse vlerësojnë se duhet debatohet në Komision, le të parashtrojnë një kërkesë zyrtarisht deri tek unë dhe unë do ta thirr mbledhjen -deklaroi Fadil Zendeli, Kryetar i Komisionit për të drejtat e njeriut.

Nga BDI-ja, si iniciues të Komisionit anketues për rastin e Almirit thonë se kanë njoftuar zyrtarisht Kuvendin më 22 mars.

Deri sot, Zendeli nuk ka thirrur Komisionin edhe pse kërkesa jonë është arkivuar dhe dorëzuar në përputhje me procedurat. Arsyet për bllokimin dhe mos veprimin i din vetëm Zendeli dhe partia e tij. E ftojmë që të veprojë në përputhje me kërkesat e dorëzuara nga deputetët dhe familjarët – njoftojnë nga grupi Parlamentar i BDI-së.

Më 5 prill, Gjykata Themelore e Kumanovës i dha epilog gjyqësor rastit të Almirit duke dënuar kështu me 6 vite burg Boban Iliqn, 6 muaj babain e Almirit, Sedat Aliun dhe nga 9 muaj Abdulla Aliun dhe Sami Demirin. Vrasja e Almir Aliut ndodhi në vitin 2016 në Kumanovë si pasojë e shtypjes me makinë nga Boban Iliq pas një zënke paraprake mes këtij të fundit dhe prindit të Almirit, Sedat Aliu./Alsat-M

Loading...