Njëvjetori i qeverisë, Zaev u vetë lavdërua (Video)

Shpërndaje

Për të simbolizuar hapjen e qeverisë ndaj qytetarëve, kryeministri Zaev arritjet një vjeçare nga puna e ekzekutivit i prezantoi përpara godinës së qeverisë. Kreu i ekzekutivit i vlerësoi si të suksesshme reformat e zbatuara në të gjitha sferat dhe shtoi se Maqedonia përparon sipas rregullave evropiane.

365 ndryshime në 365 ditë. Maqedonia ndryshon çdo ditë. E ndryshuam kursin ekonomik të shtetit, Maqedonia është vend i rritjes ekonomike dhe rritjes së pagave, më shumë para shkojnë te qytetarët për jetë më të mirë.. fakt përbëjnë edhe ndryshimet në sferën e mediave, pas një dekade punonjësit e mediave janë të çliruar nga presionet politike..ndryshime rrënjësore bëmë në sistemin gjyqësor. Strategjia e re për reformën e sistemit gjyqësor është udhërrëfyes nga do të zhvillohen reformat me qëllim kthimin e besimit të qytetarëve te institucionet, garantimin e sigurisë juridike, për të mbrojtur të drejtat dhe liritë e qytetarëve..nuk ka më presione ndaj gjykatësve – deklaroi Zoran Zaev, kryeministër.

Ndonëse nuk dihet ende kur do të hyjë në fuqi ligji, përdorimi zyrtar i gjuhës që e flasin të paktën 20 % e qytetarëve siç tha Zaev synon përmirësimin e komunikimit të qytetarëve me institucionet.

Morën fund politikat e të shkuarës të cilat nxisnin padurim, nuk ka revanshizëm, ndarje në bazë partiake, nuk ka ndarje etnike. Në këtë kuadër propozuam ligjin për përdorimin e gjuhëve me të cilin do të zgjerohet përdorimi zyrtar i gjuhës që e flasin të paktën 20 % e qytetarëve në përputhje me Kushtetutën dhe amendamentin 5. Ligji iu mundëson qytetarëve të komunikojnë me institucionet në gjuhën e tyre amtare dhe në këtë mënyrë më lehtë dhe në mënyrë më efikase i përmbushin të drejtat e tyre kushtetuese – theksoi Zoran Zaev, kryeministër.

Por ndryshe mendon opozita. VMRO DPMNE-ja akuzoi qeverinë Zaev për dështim në të gjitha fushat përfshirë cenimin e interesave kombëtare të vendit. Për partinë e Mickovskit dëshmi për mungesën e reformave është edhe raporti kritik i Holandës dhe Francës sa i përket gjendjes në gjyqësor, administratën publike dhe luftën kundër korrupsionit.

1 vit LSDM, 1 vit ngecje. Ekonomia e Maqedonisë po fundoset, kjo qeveri nuk ka as plan as nuk di si të udhëheq shtetin… investime nuk ka, jo vetëm që nuk ka paga prej 500 euro por ka ulje të pagave, nuk ka 100 mijë denarë pagë për mjekët, nuk ka 15 % kthim të TVSH-së, nuk ka ndihmë sociale prej 12 mijë denarë, nuk ka asgjë nga ajo që e premtoi karteli kriminal në krye me Zoran Zaevin – u shpreh Vllado Misajllovski, VMRO DPMNE.

Pakënaqësinë lidhur me politikat e qeverisë si dhe largimin e pushtetit opozita do ta kërkojë edhe në protestën e paralajmëruar më 2 qershor përpara qeverisë./Alsat-M

Loading...