Osmani: Vendi do jetë në rrezik nëse nuk anëtarësohet në NATO e BE
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg përshëndet përpjekjet e Maqedonisë dhe Greqisë për zgjidhjen e çështjes së emrit, duke thënë se nëse problemi merr fund vendi do të anëtarësohet në NATO. Kryeministri, Zoran Zaev pret që qëndrimet e palëve të afrohen gjatë negociatave të së shtunës mes kryediplomatëve dhe ndërmjetësit të OKB-së. Në shënimin e “Ditës së Evropës”, Zv/kryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani tha se vendi mund të vihet në rrezik nëse nuk bëhet pjesë e NATO-s dhe BE-së.
Humbja e shpresës për anëtarësim në BE dhe NATO do të kontribuojë që të rinjtë edhe më tej ta lëshojnë vendin, duke e zvogëluar kështu fuqinë punëtore dhe mundësitë për zhvillim. Humbja e shpresës gjithashtu do të shkaktojë lodhje të fuqishme nga BE-ja dhe euroskepticizmi do t’i rrisë ndjenjat anti-NATO – deklaroi Bujar Osmani, Zv/kryeministër për Çështje Evropiane.
Ambasadori i Bullgarisë, Ivan Petkov shpreson që kjo të ndodhë gjatë presidencës bullgare.
Ka mundësi reale që gjatë presidencës bullgare vendi juaj të merr datë për fillim të negociatave për anëtarësim në BE – tha Ivan Petkov, Ambasador i Bullgarisë.
Nga ana tjetër ambasadori i BE-së Zhbogar tha se vendi duhet të vazhdojë me realizimin e reformave dhe zgjidhjen e çështjeve të hapura me fqinjët në mënyrë që të fillojë negociatat me BE-në.