Qeveria konfirmon duelin televiziv Zaev-Mickoski (Video)
Ftesa e kryetarit të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, për duel televiziv me kreun e LSDM-së, Zoran Zaev, është e pranueshme për kryeministrin. Këtë e kumtoi sot zëdhënësi i Qeverisë, Mile Boshnjakoski në konferencë për mediat. Boshnjakoski tha se Qeveria do të jetë gjithmonë e hapur për çështjet që i interesojnë opinionit.
MILE BOSHNJAKOSKI, ZËDHËNËS I QEVERISË
“Gjithmonë jemi të hapur për duele, për debate, për pyetje gazetarësh në konferenca për mediat. Kështu që dueli i fundit i kryeministrave ishte në vitin 97/98, para 20 vitesh. Kryeministri Zaev është i gatshëm në çdo kohë, dhe në cilindo televizion nacional të debatojë për të gjitha temat në interes të opinionit në duel eventual të liderëve. Kështu që absolutisht i njëjti do të ndodhë, mbetet vetëm të caktohet vendi dhe koha”.
Dje, kreu i opozitës maqedonase Mickovski tha se në vend që të takohen në kabinete, me kreun e LSDM-së dhe kryeministrin do të ishte mirë që të bëjnë duel para opinionit dhe të bisedojnë për çështjet më të rëndësishme për vendin, ndër to edhe për çështjen e emrit. Në konferencën e sotme për mediat, të pyetur nëse do të rritet numri i këshilltarëve të Qeverinsë, zëdhënësi Muhamet Hoxha tha se për këtë vendos vetë kryeministri.
MUHAMET HOXHA, ZËDHËNËS I QEVERISË
“A do të rritet numri i këshilltarëve të kryeministrit Zaev ajo varet nga vetë kryeministri, i cili vendimet për këtë i ka personale”.
Lidhur me akuzat e VMRO-DPMNE-së, se Qeveria e Zoran Zaevit harxhon shuma marramendëse për këshilltarë, përfaqësuesit e Qeverisë thanë se ish-kryeministri Nikolla Gruevski nga viti 2010 deri në vitin 2017 kanë harxhuar trefish më shumë para të qytetarëve për këshilltarë. Sipas zëdhënësit Boshnjakovki, kur do të bëhen kalkulimet për pagat e këshilltarëve të Nikolla Gruevskit edhe për periudhën 2006 – 2010, shuma do të jetë edhe më e madhe se trefishi aktual. Mefail Ismaili /SHENJA/