Rasti “Koçan”, Vangellovski para shkarkimit? (Video)
Kryetari i Gjykatës Supreme, Jovo Vangelovski dhe katër kolegë të tij më 13 qershor përpara Këshillit Gjyqësor do të mbrohen nga shkarkimi. Kundër pesë gjyqtarëve suprem, u ngrit një iniciativë e tillë pas vendimit të vitit të kaluar, edhe pse në arrati, ta lirojnë nga paraburgimi biznesmenin Sead Koçan. Atëherë vendimin e miratuan me shumicë votash, ose tre votuan për Koçanin, që mos të shkonte në burgun e Shutkës, ndërsa dy ishin kundër. Disa nga Gjykatësit suprem, të cilët sot i kontaktoi Alsat M, shpjeguan se ndoshta do të kërkojnë seanca e Këshillit gjyqësor të jetë publike dhe të shpjegohet para gazetarëve se si është miratuar ky vendim. Kryetari i Këshillit Gjyqësor Zoran Karaxhovski shpjegoi se komisionet nga ky organ i mblodhën dokumentet e nevojshme, por nuk zbuloi detaje lidhur me rastin e Sead Koçanit.
Konkretisht për asnjë rast nuk do të ju jap informata, sepse rrezikoj kallëzim penal, ngase të gjitha procedurat janë me karakter të besueshëm – u shpreh Zoran Karaxhoski, Kryetar i Këshillit gjyqësor.
Karaxhovski njoftoi se është pothuajse gati raporti të cilin e përgatisin në mënyrë interne, pas vërejtjeve se sistemi elektronik i njohur si AKMIS është keqpërdorur në gjykata. Edhe për këtë rast, ai nuk zbuloi hollësi, por tha se në Gjykatën Penale të Shkupit nuk ka pasur AKMIS paralel, ndonëse një gjetje të tillë konstatoi komisioni nga Ministria e Drejtësisë gjatë kontrollit të sistemit elektronik në gjykata.
Shifra të tilla, apo se ka pasur një sistem paralel AKMIS, me ato 860 lëndë të theksuara, kjo nuk është e vërtetë – u shpreh Zoran Karaxhovski, kryetar i Këshillit Gjyqësor.
Këshilli Gjyqësor në periudhën e ardhshme duhet të marrë një vendim përfundimtar nëse do ti shkarkojë Jovo Vangelovskin dhe katër gjykatësit e tjerë që ishin pjesë e këshillit që e liruan Koçanin. Përveç kësaj, më në fund duhet të vendosë nëse të gjeturat e keqpërdorimit të AKMIS-it në gjykata janë të sakta ose jo./Alsat-M