Shitësit e luleve mbajnë të bllokuar rrugën e Bit Pazarit

Shpërndaje

Tani dy ditë komunikacioni përgjatë bulevardit të Bit Pazarit është bllokuar nga tregtarët e paligjshëm duke shkaktuar kaos për shkak të automjeteve të shumta që kërkojnë alternativa tjera të qarkullimit. Të pakënaqur me vendimin e Qytetit të Shkupit dhe komunës së Çairit për lirimin e trotuarit, tregtarët kërkojnë të kthehen në vendet e tyre. Por nga komuna e Çarit hedhin poshtë kërkesat e tyre ndërsa kundërshtojnë edhe bllokimin e rrugës për shkak të kaosit të krijuar. Nga komuna thonë se mbeten në qëndrimin për lirimin e trotuarit nga shitësit jashtë tregut, por edhe nga objektet tjera që ndodhen pranë urës. Të pyetur lidhur me reagimet e shitësve se pse pastrimi i trotuarit nuk vlen edhe për objekte tjera, siç është edhe kioska pranë Urës, nga komuna thonë:

KOMUNA E ÇAIRIT

Objekti në fjalë është i pa legalizuar, por pronari ka paraqitur kërkesën për legalizim. Deri në shqyrtimin e plotë të rastit nga organet kompetente, komuna nuk mund të veproj. Ne do të ndërmarrin veprime vetëm pasi të kemi vendimin përfundimtar për këtë rast.

Lidhur me këtë kioskë është pyetur edhe kreu i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov.

Nëse mendoni për kioskën “Ali Promet”, apo si ishte, po, do të kthehet në kuadër të asaj për çka edhe kishte paraqitur elaboratin në Qytetin e Shkupit – tha Petre Shilegov.

Ndërsa sa i përket protestave të shitësve për shkak të dislokimit në hapësira tjera shilegov thotë se atyre u janë ofruar mundësi për vazhdimin e veprimtarisë së tyre por në kuadër të rregullave të tregut, deri në përfundimin e rikonstrumit të Bit Pazarit.

Qyteti ka marrë për detyrim që së bashku me “Skopsi Pazari” t’i mbulojë harxhimet për përfshirjen e tyre në suaza të tregut për dy muaj, pra ti mbajnë tezgat falas. Është e palejueshme sjellja e tyre apo kjo që ndodhë për shkak të 20 ose 30 shitësve jo ligjor të cilët kanë mundësi të legalizojnë veprimtarinë e tyre dhe të cilëve u janë ofruar edhe përfitime tjera në aspekt social – tha Petre Shilegov.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme thanë se kanë marrë të gjitha masat për sigurimin e rendit në komunikacion dhe se deri tani nuk ka pasur asnjë incident, por pa saktësuar nëse do të ndërmarrin masa për kthimin e gjendjes normale./Alsat-M

Loading...