Sonte do të mësohet emri i partnerit të ri qeveritar?!
Partitë politike potenciale për t’iu bashkuar shumicës parlamentare po shqyrtojnë ofertat e kryeministrit Zoran Zaev. I pari i Qeverisë deklaroi se është në kontakt të vazhdueshëm me të gjithë liderët e partive që duan të jenë pjesë e shumicës. Mbrëmë Zaev ka zhvilluar një bisedë telefonike me një lider, emrin e të cilit nuk e shpalosi. Kryeministri është i gatshëm të plotësoj dhe saktësojë ofertat, transmeton Alsat-M.
“Partitë duan të debatojnë brenda organeve të tyre. Unë po pres përgjigjen nga të gjithë. Mbrëmë kisha një bisedë telefonike më njërin nga liderët e këtyre partive parlamentare dhe sot kam plan përsëri ta telefonoj që të mësoj deri ku është puna, a ka hapësirë për saktësim, për ndihmë”, tha Zoran Zaev, Kryeministër.
Nga Lëvizja Besa e Bilall Kasamit, konfirmojnë se në mbledhjen e sotme të Kryesisë Qendrore do të shqyrtojnë ofertën e kryeministrit. Ndërsa zyrtari i Besës së Afrim Gashit, Shaban Zendeli në emisionin “Rruga drejt” thotë se subjekti që përfaqëson është në fazën finale të bisedimeve me kryeministrin Zaev.
PDSH-ja e Menduh Thaçit, vazhdon të shqyrtojë ofertën në heshtje. Zgjerimi i shumicës po zvarritet tashmë nga zgjedhjet lokale te vitit kaluar. Nevoja për zgjerimin e koalicionit erdhi pas largimit të Aleancës për Shqiptarët nga Qeveria.