Trump: Obama paguante Korenë e Veriut për lirimin e të burgosurve

Shpërndaje

Presidenti amerikan Donald Trump ka sulmuar paraardhësin e tij Barak Obama duke thënë se ai paguante për të liruar 3 të burgosurit në Korenë e Veriut. Gjatë një tubimi, kreu i Shtëpisë së Bardhë u shpreh optimist për takimin me Kim Jong-un.

Tre të burgosurit amerikanë në Phenian janë rikthyer në shtëpi në mënyrën e duhur, pra pa paguar asnjë shpërblim. Kështu Donald Trump përfiton nga një fjalim në shtetin e Indianës për të sulmuar administratën paraardhëse të Barack Obamës, që ka paguar shuma të caktuara për lirimin e të burgosurve amerikanë jashtë vendit. Deklarata vijnë pas rikthimit në atdhe të 3 personave që mbaheshin peng.

“Kemi vlerësuar gjestin e Koresë së Veriut. Nuk mendonim se mund të arrihej”, nënvizoi kreu i Shtëpisë së Bardhë. “Kemi mundësi të mirë për të bërë diçka shumë domethënëse, vetëm 5 vite më parë asnjë nuk do ta mendonte që kjo do të ishte i mundur. Mendoj se Kim Jong-un dëshiron vërtetë të bëjë diçka, për ta çuar vendin e tij në botën reale. Mendoj se takimi do të jetë një sukses i madh”, përfundoi presidenti amerikan.

Tre të burgosurit amerikanë të liruar nga autoritetet koreanoveriore zbritën në bazën ushtarake në Merilend dhe u pritën nga presidenti Trump dhe bashkëshortja e tij Melani. Veprimi i regjimit komunist, për 3 amerikanët e dënuar për spiunazh dhe veprime armiqësore, është një gjest i vullnetit të mirë nga Koreja e Veriut në sajë të takimit hisotrik mes Trump dhe liderit Kim Jong-un, që do të mbahet me 12 qershor në Singapor. Të gjithë palët shpresojnë që samiti të çojë në çarmatosjen bërthamore të Koresë Komuniste.

Loading...