VMRO-ja kërkon zgjedhje të parakohshme

Shpërndaje

VMRO-DPMNE-ja opozitare çdo ditë e më shumë promovon idenë e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Kreu i saj Hristijan Mickoski, muaj më parë, kur paralajmëronte protesta masive kundër pushtetit, kishte deklaruar se një ndër kërkesat do të jenë edhe zgjedhjet e reja në të cilët synon fitore. Ai madje ka filluar intensivisht takimet me qytetarët në disa komuna të vendit. Një ditë më parë, nga Manastiri njoftoi se programi i ri zgjedhor i partisë së tij do të quhet “Betimi i ri”.

“Politika është proces dinamik, një herë fitoni, herën tjetër humbisni. Kuptohet që i analizuam gabimet nga e kaluara dhe në bazë të atyre gabimeve sjellim përfundime se si të vazhdojmë në të ardhmen. Mendoj që nxorëm mësim nga gabimet që i bëmë në të kaluarën dhe do t’i korrigjojmë në të ardhmen”, deklaroi Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së, njofton Alsat-M.

Partia e Mickoskit tashmë ka paralajmëruar protestë për më 2 qershor përpara Qeverisë kurse ndër arsyet e potencuara në klipet motivuese për mbështetësit e politikave të saj qëndron edhe e shumëpërfolura “platforma e Tiranës”. LSDM-ja, nga ana tjetër, thotë se zgjedhjet e reja do të ishin humbje kohe.

“Gjithsesi se LSDM-ja është favorit. Atë e tregojnë edhe të gjithë hulumtimet relevante të opinionit publik. Mbështetja e qytetarëve për shumicën qeverisëse shprehet e madhe. Por, më e rëndësishme është zbatimi i reformave në të cilat Qeveria është përkushtuar fuqishëm, në vend se të humbet kohë në fushata ose zgjedhje në të cilat besimin do ta marrë përsëri shumica aktuale”, thonë nga LSDM-ja.

Loading...